Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është shprehur se vendimi për zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë lidhur me targat nuk shkon kundër asnjë individi.
“Është vendim i qeverisë që duhet të zbatohet. Prezenca e Ministrisë së Brendshme dhe policisë është në nivel të zbatimit të vendimit. Kjo nuk është e drejtuar kundër askujt por në zbatim të vendimit të qeverisë”.
“Serbia nuk do ta aplaudojë një vendimi të tillë. Kur vjen në pyetje zbatimi i ligjeve dhe vendimeve të qeverisë sigurisht që të gjitha përgatitjet e domosdoshme janë të vendosura në veprim për ta zbatuar ligjin”, është shprehur Abazi.
Abazi në Info Magazine ka theksuar se zbatimi i këtij vendimi nënkupton zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës.
“Çfarëdo lloj zhegitjeje do të ishte dështim për zbatim të ligjit. Tregimi për këtë qeveri fillon dhe mbaron me zbatimin e ligjit. Nuk mund të lejojmë që të mos trajtohemi të barabartë. Ne po vendosim reciprocitet duke mos e ndaluar lëvizjen e lirë,” ka thënë ai.