Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur marrëveshje parazgjedhore me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Kështu, AAK dhe PSHdK do të garojnë së bashkë në listën zgjedhore të AAK-së, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
“AAK dhe PSHDK do të bashkëveprojnë si dy partnerë të barabartë duke respektuar njëra-tjetrën. Në listën e përbashkët zgjedhore, PSHDK do të garojë me një kandidat dhe i njëjti do të gëzojë mbështetjen e elektoratit të PSHDK-së dhe të AAK-së, për tu zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës”, thuhet në marrëveshje, raportojnë mediat vendase.
Po ashtu në këtë marrëveshje thuhet se në qeverisjen e ardhshme, PSHDK do të përfaqësohet me postin e zëvendësministrit, në rast se PSHDK do të jetë pjesë e Parlamentit të Kosovës.
Kujtojmë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur sot në një konferencë për media, se nesër do të bëhet publike lista e kandidatëve për deputetë, e kryesuar nga vetë ai. /abcnews.al/