AAK e NISMA ankohen në PZAP

schedule19:03 - 23 Janar, 2021

schedule 19:03 - 23 Janar, 2021

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA Social-Demokrate dhe disa subjekte nga radhët e minoriteteve në Kosovë, janë ankuar të shtunën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me moscertifikimin e subjektit dhe kandidatëve për deputetë.

Mul Desku, nga PZAP-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë institucion të pavarur kanë arritur tetë apele.

Sipas tij, AAK dhe NISMA, kanë bërë ankesë për moscertifikim të subjektit dhe kandidatëve për deputetë nga subjektet politike përkatëse për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Edhe partitë tjera të minoriteteve, Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës(PDAK), Partia e Ashkalive për Integrim, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) dhe Socialdemokratska Unija – Duda Balje, kanë bërë ankesa të ngjashme për moscertifikim të subjektit politik apo kandidatëve nëpër listat e tyre.

Zyrtarë të PZAP-së kanë thënë se bazuar në deklarimin e 22 janarit të kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, palët kanë të drejtë të ankohen brenda 24 orëve, pas pranimit të shkresës zyrtare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten nuk ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike Vetëvendosje (VV), Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pasi këto parti nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

KGJK kishte thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së të premten, përfaqësuesi i VV-së, Sami Kurteshi tha se “përpjekja për të ndaluar parti dhe kandidatë të caktuar të dalin në garën e 14 shkurtit, po duket qartë, dhe kjo ka të bëjë me emrin e Albin Kurtit (kryetari i VV-së)”.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.

Ky propozim, sipas drejtorit të kësaj zyreje, Yll Buleshkaj, ka ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vjetët e fundit.

Buleshkaj ka theksuar se zyra që ai drejton ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!