A u duhen hequr licencat kompanive të urbanëve? Pritet ndërhyrja e bashkisë: Qytetarët mbeten rrugëve, “fatlumëve” iu rrezikohet shëndeti në autobusët plotë

schedule14:34 - 20 Tetor, 2021

schedule 14:34 - 20 Tetor, 2021

Mijëra qytetarë të Tiranës janë  lënë në rrugë që prej tre ditesh për shkak të vendimit të pronarëve të autobusëve urbanë për të përgjysmuar numrin e mjeteve që iu shërbejnë banorëve të kryeqytetit.

Madje ata kërcënuan se nëse nuk marrin subvencione për humbjet që pretendojnë se kanë, do të punojnë me vetëm 20 për qind të kapacitetit duke filluar nga 1 nëntori.

Lexo edhe: Kërcënohen qytetarët e Tiranës: Më shumë para, ose ecni në këmbë! Pse argumenti i çmimit të naftës nuk qendron

Nisur nga numri i vogël i autobusëve në qarkullim, qytetarëve iu duhet të presin shumë nëpër stacione duke humbur punën. Edhe kur autobusët vijnë, ata janë plotë duke mos respektuar asnjë kriter të masave anti-Covid.

Në këtë mënyrë, krahas të ardhurave, pra punës, qytetarëve të Tiranës iu kërcënohet edhe shëndeti nga një vendim i kompanive të shërbimit urban, të cilat kanë vendosur që të shërbejnë me gjysmë kapaciteti.

Shërbimi urban në Tiranë ofrohet nga kompani private, por kontrollohet nga Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit kontrollon nëse kompanitë plotësojnë kushtet e nevojshme për të mbajtur licencën apo jo.

Madje, një muaj më parë bashkia ia hoqi licencën kompanisë “Ferlut” që kishte linjën e Unazës me argumentin se kishte shkelur kontratën.

Në këto kushte, ky vendim i kompanive të urbanëve për të përgjysmuar shërbimin duket tejet i guximshëm.

Nisur nga situata mjaft e rëndë e krijuar, nevojitet ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës për të rikonfirmuar pozicionimi në krah të qytetarëve duke verifikuar nëse shkelja e kryer çon apo jo deri në heqje licence për kompanitë  në fjalë. /abcnews.al