A tentoi policia të manipulonte vendin e ngjarjes, detaji i 15 metrave. Sot prokuroria e rrëzoi

schedule20:25 - 4 Gusht, 2022

schedule 20:25 - 4 Gusht, 2022

Tragjedia e Himarës dy ditë më parë ngriti në këmbë gjithë opinionin publik, pasi një fëmije të pafajshëm, iu mor jeta ndërsa luante në breg të detit me babain e saj.

Rreth orës 14:00 të ditës së martë skafi i drejtuar nga oficeri i policisë Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia, e cila ishte duke luajtur me babain e saj Bledarin.

Pas reagimeve të forta të qytetarëve shqiptarë në rrjetet sociale dhe jo vetëm, Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore, doli ditën e mërkurë me një njoftim ku deklaronte se kishte arrestuar në flagrancë oficerin Arjan Tase.

Por ajo që bënte më shumë përshtypje në njoftimin e AMP është se e konsideronte vdekjen e 7-vjeçares Jonada Avdia si “Vrasje e kryer nga pakujdesia”.

Një tjetër element që duket më shumë si marrje në mbrojtje e oficerit të policisë që me mjetin që drejtonte i mori jetën 7-vjeçares, se sa sqarim i asaj që ndodhi realisht është edhe pjesa ku AMP thekson se: “Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës”.

Por çdo qytetar shqiptar i cili ka pushuar të paktën një ditë të vetme në plazhin e Potamit në Himarë, e di shumë mirë se nëse shkëputesh 15 metra nga bregu i detit në drejtim të detit thellësia është shumë e madhe, aq sa do e bënte të pamundur që një fëmijë 7-vjeçar të mund të luante në këtë thellësi.

Por gjithashtu kemi dhe dy fakte të pakundërshtueshme, e para dëshmia e babait të Jonadës, Bledarit, i cili tha se në momentin që ndodhi ngjarja ai dhe vajza e tij ishin të kapur përdore dhe po luanin në breg.

Ndërkohë që edhe vetë Prokuroria ditën e sotme rrëzoi deklaratën e APM, duke e cilësuar tragjedinë e Himarës si “vrasje me dashje”, pasi oficeri i policisë në kundërshti me të gjitha rregullat dhe ligjet për lundrimin e mjeteve ujore kishte hyrë në zonën ku lejoheshin vetëm qytetarët.

Gjithashtu një tjetër fakt është edhe dëshmia e qytetarëve të cilët ishin dëshmitarë okularë të ngjarjes, të cilët theksuan se vajza ka qenë në breg dhe skafi ka bërë manovra të rrezikshme pak para ngjarjes.

Çfarë shkruante AMP një ditë më parë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, A.T., me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, në rrethanat e mëposhtme:

Në datën 02.08.2022, rreth orës 14:00, shtetasi A.T., i cili ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.

Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi A.T. ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.

Nga veprimet proceduriale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, drejtuesit e strukturave policore:

– Kryekomisar SH.H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë dhe Migracionit në DVKM Vlorë;

– Komisar F.M. me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë;

– Nënkomisar V.LL., me detyrë Shef i Komisarjatit të Policisë Himarë;

– Nënkomisar N.B., me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;

– Nënkomisar A.D., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Himarë.

Materialet proceduriale i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe grupi hetimor i AMP vijon hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të punonjësve të Policisë, të sipërpërmendur.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!