A po rrezikohet demokracia? Sondazhi: 7% e gjermanëve duan diktaturën

schedule12:14 - 25 Shtator, 2023

schedule 12:14 - 25 Shtator, 2023

Një në 12 persona në Gjermani kanë ideologji të ekstremit të djathtë, sipas një grupi shkencëtarësh nga Universiteti i Bielefeldit pas realizimit të një studimi në emër të fondacionit politik “Friedrich Ebert”, i afërt me Partinë Socialdemokrate.

Në kuadër të sondazhit, që është kryer çdo dy vjet që nga viti 2002, u anketuan rreth 2,000 njerëz të moshës nga 18 deri në 90 vjeç në janar dhe shkurt 2023.

Nga kryerja e sondazhit, rezultoi se 8% e gjermanëve kanë orientim të qartë nga e djathta ekstreme. Në studimet e mëparshme përqindja varionte ndërmjet 2% dhe 3%.

Me interes të veçantë është fakti se midis 5% dhe 7% në të gjitha grupmoshat mbështesin diktaturën, me vetëm një parti të fortë dhe një lider për Gjermaninë.

Francesca Schroeter, kreu i projektit në Fondacionin Friedrich Ebert, shpjegon se simpatia në rritje për autoritarizmin është për shkak të krizave të mëdha të fundit si pandemia, pushtimi i Ukrainës, kriza energjetike dhe rritja e çmimeve.

Studimi thekson se qëndrimet e ekstremit të djathtë janë më të përhapura në shtresat e ulëta ekonomike sociale, pasi krizat i godasin më drejtpërdrejt.

Ky qëndrim shoqërohet edhe me rënie të besimit ndaj institucioneve shtetërore dhe funksionimit të Republikës, edhe pse një shumicë e qartë ende e mbështet këtë formë qeverisjeje.

Megjithatë, 38% kanë qëndrime konspirative, 33% populiste dhe 29% qëndrime etno-autoritare-revolucionare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!