A po mbështet LSI themeluesin e saj? Vasili: Meta qëndrim prej patrioti

schedule16:14 - 27 Shkurt, 2020

schedule 16:14 - 27 Shkurt, 2020

Drejtuesit e partive opozitare kanë qenë të unifikuar në qëndrimin e tyre për të marrë pjesë në manifestimin e 2 marsit, duke i bërë thirrje edhe strukturave të tyre për pjesëmarrje në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili flet për një vendimarrje patriotike nga Ilir Meta dhe mohon që mbështetja ndaj tij të ketë ardhur si krijues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Nuk është në lojë fati i një force politike, por cfarë do jetë shqipëria nesër. Shqipëria nesër në rast se nuk mbahet qëndrim sot do jetë një vend në dorën e një grusht njerëzish”.

Në 2 mars në bulevardin Dëshmorët e Kombit thotë se do të jetë në pozitat e qytetarit ndërsa mohon të ketë dijeni për një vendimarrje të mundshme të Metës për shpërndarjen e parlamentit.

“Nuk dihet asgjë, as opozita. Ka vetëm një qëndrim, jemi të gjithë atje për ti vendosuur një barrikadë të madhe njerëzore, rrëmbimit shkeljes, dhe dhunimit të Kushtetutës. Në shesh do jem si qytetari Petrit Vasili“.

Edhe Agron Duka i kërkon mbështetësve të tij të jenë në shesh, duke theksuar se të njëjtën gjë do të kishte bërë nëse thirrja do të kishte ardhur nga Edi Rama.

“Do jem në radhë të parë si qytetar shqiptar, dhe si kryetar i një partie pjesë e opozitës shqiptare. Do bëja të njëjtën gjë nëse do ndodhte me Ramën”.

Edhe Partia Demokratike, forca më e madhe opozitare i kërkoi strukturave të saj të organizohen për të qenë në manifestimin e 2 marsit të thirrur nga Ilir Meta./abcnews.al