A po kryen Rusia gjenocid në Ukrainë?

schedule10:21 - 7 Prill, 2022

schedule 10:21 - 7 Prill, 2022

The Conversation

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Ekziston një kërcënim real se Rusia do të kryejë gjenocid në Ukrainë. Ndërsa dalin në pah provat e krimeve të luftës, kemi shumë arsye për të besuar se diçka e tillë po ndodh.

“Forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë,” tha Sekretari i Shtetit të SHBA-së Antony Blinken në një deklaratë më 23 mars. Blinken citoi si provë për pretendimin e tij shkatërrimin e “ndërtesave, shkollave, spitaleve, infrastrukturës kritike” dhe një teatri në qytetin e rrethuar të Mariupolit që kishte të shkruar fjalën “fëmijë”.

Rusia ka vrarë të paktën 1,189 civilë dhe ka plagosur 1,901 ukrainas të tjerë që kur filloi pushtimin në shkurt të vitit 2022, sipas Kombeve të Bashkuara. Por numri i vdekjeve ka të ngjatë të jetë më i lartë, raporton abcnews.al.

Sulmet e tilla ndaj civilëve gjatë konfliktit konsiderohen krime lufte, sipas ligjit ndërkombëtar. Por krimet e luftës shpesh ndodhin së bashku me krimet e tjera mizore – një term ligjor që përfshin gjithashtu spastrimin etnik, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Dhe në të vërtetë, ka prova që Rusia ka kryer gjithashtu krime kundër njerëzimit. Sulme të tilla përfshijnë vrasje, përdhunime dhe tortura. Këto përfshijnë gjithashtu dëbimet masive të ukrainasve në Rusi që Kremlini thuhet se po kryen në Ukrainën lindore.

Disa ekspertë paralajmërojnë se kjo dhunë ka potencialin të shndërrohet në gjenocid veçanërisht duke pasur parasysh propagandën ruse dhe shkatërrimin e  Mariupolit dhe qyteteve të tjera.

Zyrtarët ukrainas pretendojnë se gjenocidi tashmë ka filluar. “Bombardimi ajror i një spitali për fëmijë,” tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy më 9 mars 2022 , “është prova përfundimtare se në Ukrainë po ndodh gjenocid”.

Por disa ekspertë të tjera nuk janë dakord, duke argumentuar se dhuna ruse nuk i përmbush termat ligjore të një gjenocidi. Megjithatë, duke pasur parasysh shkallën e dhunës ruse në Ukrainë, paralajmërimet për gjenocid duhet të merren seriozisht.

Gjenocidi i referohet “akteve të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Këto akte përfshijnë jo vetëm vrasjen e njerëzve, por përpjekjen për të shkatërruar grupin e synuar duke shkaktuar “dëme të mëdha fzike ose mendore”.

Një tjetër fakt për gjenocidin është historia e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut dhe krimeve të mizorive, duke përfshirë gjenocidin. Rusia ka një histori të gjatë të dhunës masive kundër ukrainasve dhe grupeve të tjera.

Ndoshta më e keqja prej tyre është kur Bashkimi Sovjetik miratoi disa politika që shkaktuan uri, duke vrarë miliona ukrainas nga viti 1932 deri në 1933. Kjo njihet si Holodomor, një fjalë ukrainase që do të thotë “vdekje për shkak të urisë”.

Mizoritë e tjera sovjetike përfshijnë dëbimin e grupeve kombëtare dhe etnike dhe spastrimet masive politike. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Rusia kreu dhunë masive kundër civilëve në Çeçeni, Gjeorgji dhe Siri . Rusia bombardoi dhe zhduku qytete si Grozny në 1995 dhe Aleppo në 2016, raporton abcnews.al.

Gjenocidi dhe krimet e mizorive janë gjithashtu të lidhura ngushtë me trazirat politike, veçanërisht me luftën. Një trazirë e tillë destabilizon një shoqëri dhe e bën atë më pak të sigurt – veçanërisht për grupet e cenueshme.

Gjenocidi ka ndodhur gjatë konflikteve globale, siç ilustrohet nga gjenocidi armen gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht ka edhe gjenocide që lidhen me pushtimin kolonial, si  edhe shkatërrimin e  popujve indigjenë në Amerikën e Veriut.

Rusia ka përjetuar një sërë trazirash politike, duke përfshirë një krizë aktuale ekonomike. Pushtimi rus i Ukrainës përbën një pushtim që shpesh lidhet me krime mizore.

Gjenocidi justifikohet me propagandë dhe gjuhë që zhvlerëson dhe demonizon popullsinë e synuar. Rusia po përdor gjuhën demonizuese për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë. Së pari, Rusia e përshkruan dhunën e saj si të nevojshme për të ” denazifikuar ” Ukrainën. Presidenti Vladimir Putin, për shembull, i është referuar udhëheqjes ukrainase si një ” bandë e narkomanëve dhe neo-nazistëve ” të ekstremit të djathtë.

Dhe së dyti, Putini ka sugjeruar se identiteti ukrainas nuk është real dhe se, historikisht, “rusët dhe ukrainasit janë një popull – një komb, në fakt.”

Të provosh se po ndodh gjenocid është e vështirë, veçanërisht në një gjykatë. Kjo është e dukshme në debatet aktuale duke përfshirë një çështje gjyqësore në vazhdim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse Mianmari kreu gjenocid kundër popullit Rohingya, një grup i pakicës myslimane.

Por mund të konkludohet nga modelet e dhunës në përputhje me përkufizimin ligjor të gjenocidit.

A ka kryer Rusia akte gjenocidale?

Rusia ka shënjestruar dhe vrarë civilët dhe thuhet se ka deportuar me forcë qindra mijëra ukrainas, duke përfshirë fëmijë, në Rusi. Gjithashtu ka  bombarduar një maternitet.

Rusia ka vështirësuar jetesën në disa zona të Ukrainës. Ka shkatërruar furnizimet me energji elektrike dhe ujë, ka privuar ukrainasit nga ushqimi dhe ndihma humanitare dhe ka zhvendosur më shumë se 10 milionë njerëz brenda dhe jashtë Ukrainës.

Rusia kërkon të pushtojë  Donbasin dhe pjesë të tjera të Ukrainës lindore. Ekziston një rrezik i madh që Rusia të kryejë gjenocid në Ukrainë. Madje ekziston mundësia që gjenocidi të ketë filluar tashmë në Ukrainë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!