A po ia dorëzon “Foltoren” Sali Berisha së bijës? Iljazaj debat me Xhaferrin: Çfarë mesazhi përçoi dalja e Argitës te demokratët

schedule22:51 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 22:51 - 8 Dhjetor, 2023

TIRANË- Në fillim të këtij muaji, Foltorja mbajti Kuvendin e saj duke rikonfirmuar në krye të këtij fraksioni Sali Berishën. Por zgjedhja e Sali Berishës nuk ishte se mori vëmendje, pasi prozhektorët u drejtuan tek vajza e tij, Argita Berisha.

Ajo doli në podium dhe mbajti një fjalim, pavarësisht se ulëset në Pallatin e Kongreseve ishin të boshatisura,. Dalja e saj në skenë krijoi idenë se Sali Berisha po përgatitet që Foltoren ta trashëgojë te vajza.

Analisti Ervis Iljazaj, në “Zonë e Lirë”, tha se Sali Berisha me këtë lëvizje doli hapur duke thënë  se partinë ose më saktë fraksionin brenda PD, do t’ia lë me tapi së bijës. Për Iljazajn, me këtë lëvizje Berisha tregoi maksimumin që mund të bënte në situatën kur shpalljen “non grata” e mban të izoluar nga ndërkombëtarët.

“Nëse ajo do ta trashëgojë atë parti këtu prihen shpresat e të gjithë atyre që mund ta merrnin dhe ta drejtonin atë parti. Doktori doli në qëllimet e hapura të tij. Dalja në skenë e Argitës është kjo: unë jam këtu, as skam ndërmend të iki, do të jem këtu. Do ta mbaj atë gjithmonë në lojë. Ndoshta një parti besnikësh, të vogël, dhe në këtë kuptim arrin objektivin minimal duke qëndruar në skenë. Sali Berisha nëse i lë partinë vajzës, nuk i ka lënë Shqipërinë, por partinë. Shqipërinë e dinë shqiptarët se kujt do t’ia dorëzojë. Apriori nuk është se jam kundër kësaj gjejë. Doli hapur: partinë do t’ia lë vajzës time. Fjalimi i Argitës ishte fjalim politik”, tha ai.

Kryetari i Forumit Rinor në PD, Besart Xhaferri, tha se nuk është as pro as kundër këtij procesi. I pyetur nëse do ta votonte Argita Berishën për të qenë në krye të Foltores, Xhaferri qëndrim të kujdesshëm, duke mos u përgjigjur me fjali të prerë, por tha se fillimisht do të vlerësonte edhe garuesit e tjerë dhe më pas do shprehte pëlqimin e tij për emrin e kandidatit dhe platformën më bindëse, në këtë proces.

“Nuk po them se jam as kundër as pro për trashëgimisë biologjike. Vetë aktorët e kësaj gjëje nuk janë shprehur. Dalja e saj, koinçidon me hallin dhe goditjen që po i bëjnë. Nëse Malltezi do synojë të futet në parti, do kalojë një proces votëbesimi në PD. Unë për potencialin që ka, e vlerësoj, por do shikoj dhe potencialin e alternativave të tjerë”, tha ai.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!