Nga Anne O.Krueger, Project Syndicate
Bota ka marrë dhuratën më të mirë të mundshme për vitin e ardhshëm. Zhvillimi i vaksinave të sigurta dhe efektive anti-Covid në një kohë kaq të shkurtër, është gati një mrekulli mjekësore dhe paralajmëron fundin e krizës që e dominoi vitin 2020.
Por ritmi me të cilin do t’i japim fund pandemisë, varet nga 3 faktorë. I pari, pajtueshmëria e vazhdueshme e qytetarëve me masat e rekomanduara të sigurisë, si mbajtja e maskës, distancimi social, shmangia e tubimeve dhe larja e duarve.
Faktori i dytë, është aftësia jonë për të kapërcyer sfidat e shumta logjistike, siç është shpërndarja e vaksinave anti-Covid në nivel global. Dhe i treti, është qasja vendet e varfra tek vaksinat. Pandemia nuk do të ketë mbaruar derisa koronavirusi të mundet kudo ku është shfaqur.
Për ta arritur këtë gjë, po bëhen aktualisht disa përpjekje. Për shembull, COVAX , një koalicion i 172 vendeve (duke mos përfshirë SHBA-në), po synon “të garantojë qasje të shpejtë, të drejtë dhe të barabartë” tek vaksinat “për njerëzit në të gjitha vendet”.
E bashkë-udhëhequr nga GAVI, Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, COVAX ka nënshkruar tashmë marrëveshje me 9kompani farmaceutikë për të blerë vaksinat, pasi ato të kenë marrë miratimin e autoriteteve. Deri tani, në këtë nismë më shumë ka kontribuar Bashkimi Evropian dhe vendet individuale anëtare të BE-së. Ato kanë dhënë850 milion euro, të ndjekur nga Fondacioni “Bill & Melinda Gates” dhe donatorë të tjerë të mëdhenj.
COVAX synon të grumbullojë5 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2021, në mënyrë që të mund të sigurojë 2 miliardë doza vaksinash. Por edhe me një vaksinë që kërkon vetëm një dozë (vaksinat e miratuara aktualisht kërkojnë 2 të tilla), 2 miliardë nuk do të ishin të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë popullsinë në botën në zhvillim.
Dhe ndërsa ka shpresë që prodhuesit në vende si India mund të prodhojnë vaksina më pak të kushtueshme, furnizimi global do të mbetet ende shumë larg kërkesës. Përveç COVAX, ka edhe përpjekje direkte të vendeve të varfra për të siguruar financimet.
Për shembull, Banka Botërore, është zotuar të japë160 miliardë dollarë hua për vendet e saj kliente, ndërsa shumë donatorë të tjerë dhe fondacione filantropike kanë kontribuar në të njëjtën formë. Për më tepër, nën Nismën e Përbashkët të Pezullimit të Shërbimit të Borxhit (DSSI) të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, 73 vendeve të varfra u është ofruar mundësia që të shtyjnë deri në qershorin e vitit të ardhshëm, pagesat e shërbimit të borxhit.
Deri në fillim të dhjetorit, 45 vende ishin regjistruar në këtë program, dhe shumica e tyre po lëvrojnë fonde ekuivalente me 0.1-2 për qind të PBB-së së tyre. Ndërsa qasja universale tek vaksinat është thelbësore për të kapërcyer pandeminë, nuk është e qartë se caktimi i më shumë parave për vendet e varfra me qëllim blerjen e vaksinave, do t’u japë atyre mundësi të marrin më shumë doza, duke pasur parasysh problemet e parashikuara të furnizimit. Prodhuesit e aprovuar po përpiqen aktualisht të kufizojnë kapacitetin, dhe ndërsa mund të ketë surpriza pozitive, kërkesa e shtuar (dhe po kështu çmimi me të cilin mund të blihet vaksina) nuk ka gjasa të stimulojnë një prodhim më të madh të vaksinave.
Për më tepër, shumë nga kontratat aktuale i detyrojnë prodhuesit të shesin sipas kostos që ka vaksina dhe me sasitë e specifikuara tashmë. Pasi të jenë mbaruar këto stoqe, financimi shtesë për vendet që po ndjekin blerjet e njëanshme ka të ngjarë të shkaktojë një luftë ofertash, duke e rritur kësisoj çmimin, dhe duke kompromentuar fitimet për mirëqenien e përgjithshme.
Sigurisht, kompanitë që ndërmorën rrezikun e zhvillimit të një vaksine të sigurt dhe efektive meritojnë të kompensohen financiarisht për përpjekjet e tyre. Dhe teksa kapaciteti prodhues rritet, forcat e tregut duhet të lejohen të kenë stimujt përkatës për inovacion, zhvillim, dhe krijimin e pajisjeve shtesë të prodhimit.
Por, duke pasur parasysh shkallën e kërkesës për vaksina në vitin 2021, ka të ngjarë që ajo t`a tejkalojë ofertën, dhe nxitjet e mëtejshme për prodhim shtesë nuk mund të priten që të përmirësojnë bilancin e furnizimit dhe kërkesës brenda vitit.
Dhe ky nuk është shqetësimi i vetëm. Disa vende të varfra që janë mjaftueshëm të besueshme, mund të marrin më shumë hua për të financuar blerjet e vaksinave në të njëjtën kohë kur çmimi për vaksinat rritet. Kjo do t’i zhysë ato në më shumë borxhe, por nga ana tjetër nuk do t’i sigurojë një furnizim më të madh me vaksina, sesa mund të kishin blerë në rrethana të tjera.
Ndërkohë, vendet e tjera të varfra që më parë kishin shumë borxhe, po përballen me vështirësi në shërbimin e borxheve të tyre. Dhe disa nga ata që marrin mbështetjen e DSSI-së mund t’i përdorin fondet e çliruara për të financuar angazhimet për shërbimin e borxhit, më shume sesa për të blerë vaksinat.
Duke pasur parasysh të gjitha këto probleme, mënyra më e mirë për të ndihmuar vendet e varfra që të marrin më shumë doza është arritja e një marrëveshje ndërkombëtare, me sa duket përmes COVAX dhe OBSH, për të koordinuar shpërndarjen e vaksinave të disponueshme.
SHBA-ja pritet t`i ribashkohet OBSH-së pas inaugurimit në detyrë të presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar. Sapo të ndodhë kjo, një shtytje shumëpalëshe për të grumbulluar vaksinat në mënyrë efikase në vendet e varfra, do të ketë një shans të lartë suksesi, dhe duhet të ndiqet me seriozitet. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Shënim: Anne O.Krueger, ka qenë ekonomistja kryesore e Bankës Botërore dhe zëvendës drejtoreshë e parë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, aktualisht është profesore e ekonomisë ndërkombëtare në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins.

