A mundet Kina të ndërmjetësojë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës?

schedule15:25 - 16 Mars, 2023

schedule 15:25 - 16 Mars, 2023

Mediat raportojnë se presidenti kinez, Xi Jinping, po planifikon të vizitojë Vladimir Putinin në Rusi dhe të zhvillojë një takim virtual me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një të ardhme të afërt.

Kina kishte propozuar më parë një plan prej 12 pikash për paqen në Ukrainë dhe është spekuluar se ajo mund të përpiqet të lehtësojë negociatat midis palëve kundërshtare. Ministria e Jashtme kineze nuk i ka konfirmuar planet e presidentit Xi për bisedime me asnjërin lider, por ka deklaruar se ai po komunikon me të dyja palët.

Në vijim janë disa nga çështjet që Kina ka të ngjarë t’i marrë parasysh derisa shqyrton perspektivat për paqen në Ukrainë.

Kina, tradicionalisht, i është përmbajtur një parimi për të mos ndërhyrë në konfliktet e vendeve të tjera, veçanërisht në ato me shtrirje territoriale më të largët.

Por, një marrëveshje paqeje e arritur në Pekin javën e kaluar midis Arabisë Saudite dhe Iranit nxjerr në pah një synim kinez për ta projektuar veten si një fuqi e madhe e përgjegjshme nën drejtimin e presidentit Xi, thonë analistët.

“Xi do të dëshironte të shihej në skenën globale si një burrë shteti, ndikimi i të cilit të paktën është i barabartë me atë të liderit të SHBA-së”, tha Wang Jiangyu, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Hong Kongut.

Analistët sugjerojnë se Kina është e motivuar të ndërmjetësojë paqen në Ukrainë për të kundërshtuar akuzat se ka mbështetur Rusinë, që është agresore në konfliktin e vazhdueshëm, por që i referohet si një “operacion i posaçëm ushtarak”.

Edhe pse shanset për një përparim të menjëhershëm janë të ulëta, ndjekja e negociatave të paqes është një nismë relativisht me kosto të ulët që mund të ofrojë përfitime të rëndësishme për Kinën.

Dokumenti 12-pikësh i Kinës mbi “zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë” theksoi nevojën që të dyja palët të de-përshkallëzojnë gradualisht konfliktin, duke çuar në një armëpushim gjithëpërfshirës.

Plani kërkon mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve. Megjithatë, Kina nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë. Plani i propozuar nuk u prit me shumë ngrohtësi në Rusi e as në Ukrainë, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e shikuan me skepticizëm.

Ukraina, e cila thotë se do të marrë parasysh planet e paqes vetëm pasi trupat ruse të largohen nga territori i saj, nuk u pajtua me këtë plan pasi në të nuk nënvizohet se Rusia duhet të tërhiqet nga kufijtë e vendosur të vendit që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Megjithatë, vendi më vonë tha se mund të pajtohet me “disa pjesë të tij”.

Rusia u përgjigj duke thënë se tha se do të kryente një “studim të detajuar” të planit, porse nuk shihte ndonjë indikacion për një zgjidhje paqësore për momentin.

Shtetet e Bashkuara thanë se Kina, pasi e ka prezantuar veten publikisht si neutrale, po pasqyron “narrativën e rreme” të Rusisë për luftën.

NATO, në anën tjetër, tha se Kina nuk kishte shumë besueshmëri si ndërmjetëse për Ukrainën.

Analistët thonë se do të jetë e vështirë për Kinën që të arrijë t’i ulë Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve, ndryshe me Arabinë Saudite dhe Iranin, që paraqesin një fitore më të lehtë diplomatike.

“Arabia Saudite dhe Irani në të vërtetë duan të bisedojnë dhe të përmirësojnë marrëdhëniet, ndërsa Rusia dhe Ukraina nuk e duan një gjë të tillë, të paktën jo tani”, tha Yun Sun, drejtor i Programit të Kinës në Stimson Center në Uashington.

Megjithatë, Xi mund të luajë rolin e një ure lidhëse, tha Yun, që mund të jetë një hap i parë në drejtim të bisedimeve – gjë që për momentin duket si diçka e pamundur.

Një përpjekje e pafrytshme nga Turqia, që është anëtare e NATO-s, për të lehtësuar një dialog të mundshëm në Stamboll në javët e para të fillimit të luftës vitin e kaluar, nxori në pah vështirësitë për t’i ulur palët në tryezë të përbashkët.

Disa analistë thonë se Kina është në një pozitë më të mirë se Turqia për të ndërmjetësuar sepse ka levë të rëndësishme mbi Rusinë.

Kina është aleati më i rëndësishëm i Rusisë dhe ka blerë naftë ruse dhe ka siguruar një treg për mallra ruse, që është ndërprerë nga vendet perëndimore përmes sanksioneve të vendosura pas pushtimit të Ukrainës.

Kina, gjithashtu, ka disa leva mbi Ukrainën, e cila nuk do të donte të shkatërronte shanset e mbështetjes së Kinës për rindërtimin e saj pas luftës, tha Samuel Ramani, ekspert i Rusisë në Universitetin e Oxfordit.

Kina ka zgjeruar tregtinë me Ukrainën pasi Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014 dhe nuk e njohu territorin si rus, tha ai.

“Mbi të gjitha, Zelensky nuk dëshiron të provokojë Kinën aq shumë sa ajo të fillojë ta armatosë Rusinë”, tha Ramani.

Për shkak të marrëdhënies së saj të fortë me Rusinë, roli i Kinës shihet me skepticizëm të konsiderueshëm. Pak para pushtimit rus të Ukrainës, të dyja vendet kishin shpallur një partneritet të pakufizuar.

Pavarësisht thirrjeve të Kinës për paqe, ajo është rreshtuar kryesisht me qëndrimin e Rusisë, e cila fajëson NATO-n për kërcënimin e vendit për shkak të ambicieve për t’u zgjeruar drejt lindjes dhe aleatët perëndimorë të Ukrainës për nxitjen e konfliktit duke siguruar tanke dhe raketa.

Andrew Small, një bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman, Marshall, ka vënë në dukje se Kina dëshiron të perceptohet si kontribuuese në përpjekjet për paqe, por nuk është e gatshme të bëjë presion ndaj Putinit që të ndalojë luftën dhe t’i rrezikojë lidhjet e saj me Rusinë.

“Pekini nuk e ka përdorur peshën e tij dhe nuk ka kërkuar të detyrojë Rusinë të bëjë ndonjë gjë”, tha ai.

/rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!