Analisti Skënder Minxhozi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në funksione shtetërore, duke komentuar emërimin e modulit virtual “Diella” në krye të prokurimeve publike një prej hallkave më të ndjeshme të administratës.
Në një diskutim në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh skeptik për kapacitetin e teknologjisë për të përballuar procedura të ndërlikuara ligjore dhe burokratike. Sipas tij, sistemi aktual nuk është ende në nivelin që kërkohet për t’i besuar proceset delikate si tenderimi apo zbatimi i kontratave publike.
Lajmi për “Diellën” ka shkaktuar jo vetëm diskutime brenda vendit, por edhe interes ndërkombëtar, duke hapur një kapitull të ri mbi rolin e teknologjisë në qeverisje.
“Elementi bazë që e nxjerr Inteligjencën Artificiale në botë dhe e prezanton me ne është gjuha, e shkruara dhe e folura. Di nga eksperienca që softe të ndryshme nga inteligjenca artificiale që gjenden e shkarkohen shumë thjeshtë në gjuhën shqipe nuk aksesohen siç duhet. Që do të thotë nuanca të ndryshme i lexojnë në mënyra të ndryshme nëse i jep një pyetje dy herë, pra nuk jemi ende në këtë teknologji, në atë lloj niveli, që t’i besohen procedura ligjore, praktika, prokurime e shumë të tjera. Për më tepër që ju thatë vetë që procesi nga prokurimi deri te tenderimi e më pas zbatimi shkon në disa hapa. Brisida e tha me të drejtë se ajo zonja virtuale e ka mbaruat punën pa filluar qeveria. Puna e vet që e gjithë bota e mori vesh dhe shkroi për atë. Çfarëdo qoftë Diella unë dyshoj që një administratë të merret me këtë. Të jesh i bindur se nëse ka pasur nga ata që kanë ngrënë kumbulla pas shpinës së Edi Ramës, të jesh i bindur se do të ketë edhe nga ata që do hanë kumbulla pas një softi. Problemi i madh i ministrit i virtual për mendimin tim është shpjegimi dhe dyshoj që edhe vetë Rama nuk e ka shumë të qartë se sa thellë do të hyjë, praktikat e shtetit që do të kalojnë në këtë server, mënyra e trajtimit, sa shumë do e ndjejë mënyrën e prokurimit dhe sa thellë do hyjë në çështje”, tha Skënder Minxhozi./abcnews.al

