A mund t’i japin vetëm sanksionet fund luftës së Rusisë në Ukrainë?

schedule10:36 - 12 Mars, 2022

schedule 10:36 - 12 Mars, 2022

Carnegie Europe

Në kundërpërgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë sanksione në përmasa të papara më herët. Ndërsa ato po e rrisin ndjeshëm koston e luftës për Moskën, nuk kanë gjasa të ndryshojnë llogaritë që bën Putin. Ja çfarë mendojnë disa nga ekspertët më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Dan Baer, drejtori i programit për Evropës në think-tankun “Carnegie Endowment for International Peace”:

Kërcënimi i sanksioneve nuk e pengoi luftën e Vladimir Putin, por realiteti i tyre mund të ndihmojë për t’i dhënë fund asaj. Ndërsa shumëkush shpreson që sanksionet mund të prodhojnë mjaftueshëm pakënaqësi popullore brenda Rusisë, për ta bërë Putinin të ndryshojë kursin, kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë.

Përkundrazi, ndërsa askush nuk mund të thotë se kur do të përfundojë lufta, ne mund të presim që ajo të përfundojë me një zgjidhje diplomatike. Pavarësisht se sa dobët po paraqitët ushtria e tij, Putin ruan ende aftësinë për ta shndërruar konfliktin në një kasaphanë të tmerrshme edhe në muajt në vijim.

Fuqia dhe ashpërsia e sanksioneve, dhe efekti i tyre i dukshëm në ekonominë ruse, ka të ngjarë ta nxisin Putinin të kërkojë një zgjidhje më të shpejtë se sa në rrethana të tjera. Mendoj se sanksionet nuk do të çojnë shumë shpejt në një marrëveshje të mirë.

Robert Cooper, anëtar i think-tankut “European Council on Foreign Relations”:

Po. Por sanksionet janë vetëm një nga elementët. Historia fillon me tmerrin e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, fqinjit dhe “kushërirës” së saj; dhe që më pas u pasua nga rezistenca e guximshme dhe frymëzuese e një populli ukrainas të bashkuar.

Nëse kësaj i shtojmë sanksionet e rënda ekonomike, shkëputjen e Rusisë nga sistemi financiar global në një botë ku jemi të gjithë të bashkuar, dhe gjithçka është e mundur. Në luftë, shkroi dikur Napoleoni, morali është në raportin 3 me 1 në avantazh ndaj bazës materiale.

Këto sanksione janë të ndryshme nga rastet e kaluara si ndaj Kubës apo Afrikës së Jugut. Ato synonin ndryshimin e regjimit. Me Ukrainën, plani është më i thjeshtë:ulni armët dhe ndaloni luftën. Nëse në këtë proces rrëzohet nga pushteti Vladimir Putin, ky do të ishte një bonus.

Theresa Fallon, drejtore e Qendrës për Studimet mbi Rusinë, Evropën dhe Azinë (CREAS):

Vetëm sanksionet nuk mund t’i japin fund luftës. Ato mund të krijojnë vështirësi serioze për popullatën ruse, por historikisht këta të fundit janë mësuar të vuajnë, dhe propaganda zyrtare ruse do t’ia hedhë Perëndimit fajin për sanksionet.

Propaganda do t’i përshkruajë sanksionet si një persekutim të padrejtë të Rusisë nga armiqtë e saj, dhe do të përpiqet t’i përdorë ato për të mbledhur njerëzit rreth regjimit. Vetëm një pakicë ka qasje në informacionet që vijnë nga jashtë, dhe është gati të protestojë kundër qeverisë.

Sanksionet do ta bëjnë Rusinë më të varur nga tregtia me Kinën, duke e bërë gjithnjë e më shumë Rusinë si partneren më të vogël në aleancën Kinë-Rusi. Kjo gjë do t’i japë Kinës qasje në burimet e mëdha natyrore të Rusisë, duke stimuluar rritjen ekonomike dhe ngritjen ushtarake të Kinës.

Nga ana tjetër, sanksionet do të dëmtojnë interesat ekonomike të elitave ekonomike, sigurisë dhe politike në Rusi (oligarkëve). Është ende e mundur që një elitë e vogël të lulëzojë edhe nën sanksione, pra edhe në kushtet e izolimit ekonomik, siç ndodh në Korenë e Veriut.

Por a është Rusia e krahasueshme me Korenë e Veriut? Nëse sanksionet kundër Rusisë mbeten në fuqi, ekziston një fare shprese që elitat ruse mund të veprojnë për të ushtruar presion ndaj Putinit që të ndryshojë kurs, ose mund të përpiqen ta zëvendësojnë Putinin me një udhëheqës të ri.

John C.Kornblum, ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani:

Jo. Vetëm sanksionet nuk mund ta ndalin luftën. Ato janë një mjet i kufizuar që zëvendëson alternativat më të vështira. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, dhe në vitet 1968 dhe 1979 pas Pranverës së Pragës dhe rënies së Kabulit.

Unë kam menaxhuar një paketë sanksionesh kundër Serbisë në vitet 1996-1997. Në fund, ishin bombardimet e NATO-s, ato që e detyruan presidentin e atëhershëm Slobodan Miloshevic që të tërhiqej nga Kosova. Por bashkëpunimi i NATO-s mbi sanksionet, ishte thelbësor, për të rënë më pas dakord mbi opsionin ushtarak.

Sanksionet mund të ndihmojnë në ngadalësimin e sulmit rus, por ato nuk do ta ndryshojnë brenda natës sjelljen e rusëve. Tridhjetë vjet më parë, partnerët tanë rusë donin një fillim të ri. Sot, ne mund të detyrohemi të përballemi me Vladimir Putin, siç bëmë me Miloshevic në Serbi.

Tatiana Romanova, politologe, Rusi:

Sanksionet luajnë një rol të rëndësishëm për Perëndimin, por ato nuk do t’i japin fund  menjëherë “operacionit special ushtarak” të Rusisë. Së pari, kërcënimet e sanksioneve perëndimore ishin verbalist të pranishme që në fillim të këtij viti. Kjo bëri që shumë rusë të besonin, se sanksionet do të ishin vendosur, sido që të sillej Rusia.

Së dyti, shumica e sanksioneve vështirë se prekin të ashtuquajturit “njerëzit e thellësive të vendit”, që përbëjnë edhe bazën e elektoratit të Kremlinit. Këta njerëz nuk kanë kontakte biznesi në Perëndim. Ata nuk udhëtojnë jashtë vendit. Nuk kanë pasur asnjëherë në qytetet e tyre ndonjë dyqan të ndonjërës nga kompanitë e njohura perëndimore.

Ata do ta ndjejnë ndikimin e inflacionit, të humbjes së vendeve të punës. Por janë mësuar, dhe do të përqendrohen tek mbijetesa e tyre, duke besuar se po sakrifikojnë për një kauzë të rëndësishme, për sigurinë kombëtare.

Ky është një tubim klasik rreth flamurit kombëtar. Njerëzit më të prekur janë ata nga shtresa e mesme. Ata do ta gjejnë veten në mesin e një konfliktu. Nga njëra anë, duke u kritikuar ashpër në Rusi për qasjen e tyre pacifiste, dhe nga ana tjetër në Perëndim duke qenë viktima të sanksioneve zyrtare dhe ”kulturë-fshirjes”.

Së treti, për momentin prioriteti i Kremlinit nuk është ekonomia. Prandaj ndikimi tek biznesi dhe i krahëve ekonomike të qeverisë duket të jetë minimal. Kremlini do të përballet me pasojat ekonomike të sanksioneve perëndimore, por kjo do të ndodhë kur të cilësohen të arritura synimet ushtarake dhe ato politike.

Marrë me shkurtime

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!