A mund të trajtohet me plazmë COVID-19? Arben Ivanaj sqaron mundësitë dhe efektivitetin

schedule13:48 - 10 Gusht, 2020

schedule 13:48 - 10 Gusht, 2020

Mjeku hematolog, Arben Ivanaj në një intervistë për “ABC News” foli për përdorimin e plazmës dhe efektin e saj në parandalimin e COVID-19.

Ai shpjegoi se trajtimi me anë të plazmës për të sëmurët e infektuar me koronavirus dhe që kanë antitrupa tashmë është e mundur.

Kjo çështje u soll në vëmendje pasi Arben Bajo, skulptori i njohur humbi jetën nga COVID-19,  ndërkohë që familja dhe miqtë e tij kishin bërë thirrje që t’i sigurohej gjak nga persona të cilët e kishin kaluar COVID-19.

Ivanaj tha se se marrja e plazmës në spitalet tona rajonale është një teknikë relativisht e thjeshtë, por sipas tij problemi qëndron tek indikacioni dhe se çfarë pritet nga ky lloj medikamenti.

“Është një teknikë që ka dhënë rezultate, por rezultate të cilat pritet të rikonfirmohen në studime më të besueshme. Të përdoret trajtimi me anë të plazmës të të sëmurëve të infektuar tashmë dhe që kanë antitrupa me COVID-19 është e mundur. Plazmën e përdorim çdo ditë, plazmën përdorin të gjitha spitalet tona pa përjashtim. Nuk është një teknikë e vështirë. Ajo që duhet bërë para se të përdorim plazmën është që të masim titrën e antitrupave. Të kemi një kemi një titër antitrupi sa më të lartë në plazmën e donatorit”, sqaroi ai.

Gjatë intervistës ai u shpreh se duhet të sensibilizohen të sëmurët për mundësinë dhe arsyen se përse kjo duhet përdorur.

“Teknikisht duhet të sensibilizohen personat të sëmurët për mundësinë dhe nevojën e përdorimit të plazmës. Teknika nuk është e vështirë. Sensibiliteti i njerëzve nuk është problem. Arsyeja se përse nuk është aplikuar deri më tani besoj sepse nuk është një teknikë e cila ka siguruar besueshmëri terapeutike, por është ndër teknikat që është përdorur në trajtimin e sëmundjeve që nuk ka mjekim të rekomanduar”, u shpreh ai.

Më tej ai sqaroi se si teknikë seleksionimi i plazmës, marrja e plazmës, të gjitha bankat tona të gjakut qoftë në spitalet tona rajonale është një teknikë relativisht e thjeshtë. Problemi qëndron tek indikacioni dhe se çfarë pritet nga ky lloj medikamenti. Pra, shtoi ai nuk duhet të presim se me përdorimin e plazmës çdo gjë u rregullua.

“Kam dëgjuar se nëse do të përdoret plazma atëherë problemi do të zgjidhej. Të mos krijojmë iluzione, pasi edhe atje ku është përdorur plazma vdekshmëria nga COVID-19 nuk ka qenë më e ulët. Sëmundjet shoqëruese si sëmundjet malinje, të kancerit të gjakut, janë ato që favorizojnë. Sëmundjet kronike po ashtu favorizojnë përkqësimin e këtij infeksioni. Është parë që ky virus sillet ndryshe me individë të ndryshëm. Pra ka ende shumë punë për tu verifikuar. Ata që insistojnë në trajtimin e kësaj patologjie, duhet ta trajtojnë sëmundjen pa filluar doza pulmonare”, tha Ivanaj.

I pyetur se nëse përdorimi i maskës së oksigjenit është i gabuar dhe se nëse do të duhet që një i sëmurë me COVID-19 do të duhet të marrë trajtim që në momentin e parë,  ai tha se që në fillim të kësaj patologjie ka pasur një rekomandim nga OBSH që të sëmurët që kanë temperaturë nuk kanë nevojë për një mjekim të tillë.

Po ashtu ai shtoi se këtu është bërë gabimi i parë, ndërsa u shpreh se sëmundjet infektive gjithmonë janë trajtuar me shenja paraklinike.

Ai gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të mos neglizhojnë masat e vendosura në kuadër të parandalimit të COVID-19 dhe se nuk dihet se sa do të zgjasë dhe në këtë mënyrë duhet të përshtatemi me këtë sëmundje. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!