Nga Nasir Aminu “The Conversation”
Sulmi rus në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, e ka shtuar pasigurinë në ekonominë botërore. Për të dënuar luftën e Vladimir Putinit, udhëheqësit perëndimorë njoftuan vendosjen e disa masave kufizuese ekonomike që kanë shënjestruar institucionet financiare dhe zyrtare, si dhe biznesmenët rusë.
Sanksionet përfshijnë:përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi SWIFT për pagesat ndërkombëtare; ngrirjen e aseteve të kompanive ruse dhe oligarkëve në vendet perëndimore; dhe kufizimin e Bankës Qendrore në Rusi nga përdorimi i rezervave të saj të huaja prej 630 miliardë dollarësh, që të mos ketë mundësi të shmangë sanksionet.
Pas këtyre lëvizjeve, disa agjenci vlerësimi ose e kanë ulur vlerësimin e Rusisë sa i përket aftësive paguese të kredive që merr në tregjet ndërkombëtare në statusin e një klienti të padëshiruar, ose kanë sinjalizuar se mund ta bëjnë shumë shpejt këtë gjë.
Pra thënë ndryshe,mendojnë se perspektiva që Rusia të mos mundet të paguajë dot borxhet e saj është më e afërt se më parë. Sipas një grupi bankash globale, pamundësia e shlyerjes së borxhit është “jashtëzakonisht e mundshme”.Dhe në kushtet kur janë mbi 100 miliardë dollarë të borxhit rus në bankat e huaja, ngrihen shumë pikëpyetje në lidhje me rreziqet që i kanosen bankave jashtë Rusisë, dhe potencialit që një paaftësie e shlyerjes së borxhit të shkaktojë krizë likuiditeti të ngjashme me atë të vitit 2008, kur bankat u përfshinë nga paniku mbi gjendjen e aftësisë paguese të bankave të tjera, duke mos i dhënë më hua njëra-tjetrës.
Bankat evropiane janë institucionet financiare më të ekspozuara ndaj sanksioneve të reja të vendosura ndaj Rusisë, veçanërisht ato në Austri, Francë dhe Itali. Të dhënat nga Banka për Shlyerjet e Borxheve Ndërkombëtare (BIS), tregojnë se bankat në Francë dhe të Itali, kanë secila pretendime për 25 miliardë dollarë nga borxhi rus, ndërsa bankat austriake pretendojnë shumën 17.5 miliardë dollarë.
Sa për krahasim, bankat amerikane e kanë reduktuar ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj ekonomisë ruse që nga sanksionet e vendosura ndaj Moskës pas aneksimit rus të Krimesë në vitin 2014. Gjithsesi, Citigroup i ka dhënë rusëve një hua prej 10 miliardë dollarësh, edhe pse kjo është një pjesë relativisht e vogël e totalit prej 2.3 trilion dollarësh që zotëron kjo bankë.
Pastaj është edhe problemi i ekspozimit ndaj një mospagimi të mundshëm të borxheve nga ana e Ukrainës. Borxhi në formën e obligacioneve prej rreth 60 miliardë dollarësh që ka Ukraina,renditet sot shumë më poshtë në aspektin e sigurisë së shlyerjes, duke rritur rrezikun e një falimenti nga një probabilitet i dobët në një rrezik real.
Përveç ekspozimit ndaj borxhit, shumë banka do të dëmtohen për shkak se ofrojnë shërbime bankare në Ukrainë apo në Rusi. Sipas agjencisë së vlerësimit, Fitch, bankat franceze BNP Paribas dhe Credit Agricole janë më të ekspozuara ndaj Ukrainës për shkak të filialeve të tyre që kanë në këtë vend.
Société Générale dhe UniCredit janë bankat evropiane me operacionet më të mëdha financiare në Rusi, dhe të dyja janë gjithashtu ndër më të ekspozuara ndaj borxheve ruse. Një lajm tjetër i keq për bankat evropian:në tregun e shkëmbimeve të euros ka pasur një rritje të madhe të kostos së rritjes së fondeve në dollarë amerikanë.
Bankat e përdorin zakonisht këtë treg për të rritur rezervat në dollarë, që janë thelbësore për shumicën e tregtisë ndërkombëtare. Dhe normat më të larta do të ushtrojnë një presion shtesë mbi marzhet e tyre të fitimit. Atëherë sa serioze janë rreziqet për bankat në përgjithësi nga mospagimi në kohë i borxheve?
Kompanie amerikane e investimeve, Morning Star, beson se ekspozimi i bankave evropiane, për të mos folur për ato amerikane ndaj Rusisë është tek e fundit “i parëndësishëm” në lidhje me aftësinë e tyre paguese. Megjithatë, është raportuar se bankat evropiane, amerikane dhe ato japoneze mund të përballen me humbje serioze, potencialisht deri në 150 miliardë dollarë.
Por ato mund të preken edhe në mënyra të tjera. Për shembull, Zvicra, Qipro dhe Britania e Madhe janë destinacionet më të mëdha të oligarkëve rusë që synojnë të ruajnë paratë e tyre jashtë shtetit. Qiproja tërheq një pjesë të mirë të pasurisë ruse nëpërmjet skemës së “pasaportave të arta”.
Institucionet financiare në këto vende ka të ngjarë që të humbasin biznesin e tyre për shkak të sanksioneve. Për shembull, çmimet e aksioneve të bankave në Britani, Lloyds dhe Natwest, kanë rënë me më shumë se 10 për qind që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Përveç bankave, lufta do të sjellë humbje të konsiderueshme edhe për shumë biznese që kanë interesat e tyre në Rusi. Çdo kompani që ka detyrimet ndaj bizneseve ruse do ta ketë të vështirë t’i shlyejë, duke qenë se rubla është zhvlerësuar me 30 për qind dhe kufizimet e SËIFT do t’i vështirësojnë shumë pagesat.
Për shembull, agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se kompanitë amerikane kanë rreth 15 miliardë dollarë borxhe ndaj Rusisë. Dhe shumë nga këto borxhe do të shlyhen duke shkaktuar humbje të konsiderueshme.
Disa kompani nafte si Shell dhe British Petroleum, kanë deklaruar se do të shesin të gjitha asetet që zotërojnë në Rusi. Kompani të tjera si konglomerati i tregtisë dhe minierave, Glencore që ka shumë aksionenë dhe dy kompani shtetërore, Rosneft dhe En+ Group, kanë thënë se po mendojnë të bëjnë të njëjtën gjë.
Por nëse vlera e këtyre aseteve bie shumë për shkak se nuk ka blerës me çmime të arsyeshme, kompanitë si këto mund të kërkojnë zhvlerësime të konsiderueshme. Kjo situatë është e rrezikshme pasi në panik e sipër mund të çojë në shitjen e aksioneve, gjë që do të krijojë një efekt domino në të gjithë tregun, të ngjashëm me atë që ndodhi me bankat në vitet 2007-2008.
Të rrezikuara janë edhe bondet e pensioneve. Për shembull, drejtuesit e Universities Superannuation Scheme (USS) dëshirojnë të shesin asetet që kanë Rusi. USS është skema më e madhe e pavarur e pensioneve në Britaninë e Madhe me rreth 500.000 klientë dhe një fond prej 90 miliardë paund.
Asetet e saj ruse kapin vlerën e mbi 450 milionë paund. Rënia e vlerës së këtyre aseteve toksike, do të ishte potencialisht një goditje shumë e fortë. Ndërkohë, shumë kompani investimesh, kanë gjithashtu para në borxhin sovran rus dhe aksione të kompanive ruse.
Edhe ato parashikojnë të pësojnë humbje të mëdha.
Me pak fjalë, efektet e valëzuara të kësaj lufte janë potencialisht të mëdha, dhe shumë të tjera ndoshta do të bëhen të dukshme në ditët dhe javët në vijim. Teksa ekonomia globale ende po përpiqet të marrë veten nga pandemia, tashmë duhet të përballet me një inflacion të madh, tregjet kanë qenë shumë të paqëndrueshme. Pushtimi rus i Ukrainës e ka përshkallëzuar këtë situatë, dhe bota financiare do të jetë në gatishmëri të lartë për të parë se si do të zhvillohen gjërat. /abcnews.al