A mund të përdorë Turqia një sulm të inskenuar për të nisur luftën ndaj Greqisë?

schedule08:35 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 08:35 - 2 Dhjetor, 2022

Nga Michael Rubin “19FortyFive”

Përktheu Alket Goce-abcnews.al

Më 13 nëntor, shpërthimi i një bombë tronditi një rrugë për këmbësorët në qendër të Stambollit. Brenda një dite, zyrtarët turq deklaruan se kishin arrestuar të dyshuarën e tyre. Ajo ishte Ahlam Albashir, një grua siriane për të cilën autoritetet turke pretenduan se i merrte urdhrat e saj nga kurdët sirianë në Kobane.

Ata e ekspozuan atë para mediave që janë pranë presidentit Recep Tayyip Erdogan veshur me një xhup ku shkruhej “New York”. Në mënyrë që të gjithë turqit të merrnin mesazhin e duhur, Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, deklaroi se bashkëpunëtore në atë sulm ishin Shtetet e Bashkuara.

Por përtej këmbënguljes së autoriteteve turke, nuk ka asnjë provë se Albashir ka lidhje me kurdët sirianë. Në fakt janë më të forta provat që e lidhin atë me Ushtrinë e Lirë Siriane të mbështetur nga Turqia. Prandaj duket se Erdogan po e përdor atë sulm si një pretekst për të kryer një operacion të para-planifikuar për të goditur eksperimentin e një shtetit demokratik kurd në Sirinë Verilindore.

Pas sulmit të Stambollit, avionët luftarakë turq kanë goditur vazhdimisht objektiva në zonën kurde të Sirisë, duke vrarë jo vetëm zyrtarë politikë, por edhe shumë civilë të tjerë. Refreni se Forcat Demokratike Siriane janë, për nga natyra e evolucionit të tyre nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grupim terrorist, nuk është justifikim për veprimet e Turqisë për dy arsye, raporton abcnews.al.

Së pari, PKK ka evoluar me kalimin e viteve, ashtu si vetë Turqia. Sot, Turqia e Presidentit Recep Tayyip Erdogan nuk njihet nga ajo që ishte Turqia e 2 dekadave më parë. E njëjta gjë vlen edhe me PKK-në, një grup që dikur më mbajti për një kohë të shkurtër nën kërcënimin e armëve kur isha zyrtar i Pentagonit në Kurdistanin irakian. Politikisht, intelektualisht dhe kulturalisht, ajo nuk është e njëjta organizatë.

Së dyti, ndërkohë që Departamenti i Shtetit operon në mënyrë standarte dhe disa analistë të grupeve kërkimore kërkojnë të jenë më turq se vetë turqit sa i përket izolimit të PKK-së, është e dobishme të kujtojmë se Turgut Özal, që e dominoi Turqinë gjatë viteve 1983-1993, ishte i gatshëm të bënte paqe me këtë grupim.

Para vdekjes së tij në vitin 1993, ai i kishte dërguar liderit të PKK-së Abdullah Öcalan mesazhin se ishte gati për të negociuar fundin e rebelimit kurd. Shtëpia e Bardhë dhe shumë diplomatë evropianë besojnë se mund të mbyllin njërin sy ndaj sulmit të vazhdueshëm të Turqisë në Sirinë Veriore.

Tek e fundit, kurdët nuk janë shtet, dhe kësisoj nuk kanë një vend në tryezën diplomatike. Larg syve, larg zemrës. Por problemi me një logjikë të tillë nuk është vetëm perversiteti i saj moral. Përkundrazi, edhe kur ambientalistët akuzohen se janë pjesë e një komploti të gjerë terrorist pas protestave të Parkut Gezi në vitin 2013, kur teprohet me bashkëpunimin e gylenistëve në grushtin e dështuar të vitit 2016, apo nëse kërkohet justifikimi për të sulmuar Irakun ose Sirinë, akuzat e rreme kundër armiqve si pretekst për veprime policore ose ushtarake janë bërë më se të zakonshme për Turqinë, raporton abcnews.al.

Arsyeja është e thjeshtë: Erdogani e preferon shumë një taktikë të tillë. Dhe kjo na çon tek Greqia. Përgjatë dekadave, Turqia e ka akuzuar vazhdimisht Greqinë për terrorizëm. Ndërsa Erdogan po ushtron presion ndaj fqinjit të tij të NATO-s, duke synuar që të ri-vizatojë hartën e Egjeut dhe të zgjerojë Zonën Ekskluzive Ekonomike të Turqisë, atij do t’i duhet një pretekst për një veprim ushtarak.

Në rast se Evropa e lejon Erdoganin të mos mbajë asnjë përgjegjësi për akuzat e rreme kundër kurdëve sirianë për të justifikuar aneksimin e një territori kurd në jug të kufirit të Turqisë, nuk është e largët dita kur do të shqyrtohet një skenar tjetër që çon në një aneksim tjetër në perëndim të kufirit.

Dhe kjo pasi një bombë që shpërthen në Izmir, Bodrum ose Marmaris. Një ditë më vonë, në Soylu do të nxjerrë para mediave një autori të dyshuar me xhup ku shkruhet “Athinë”, duke pretenduar se ai ose ajo ka pranuar se ka vepruar sipas urdhrave të nacionalistëve grekë.

Evropa mund të mundohet që ta përgënjeshtrojë, por Erdoganit nuk do t’i interesojë kjo gjë. Ai është mësuar shumë me Perëndimin, që i pranon standardet turke të “provave” apo me vende si Suedia që poshtërojnë veten, vetëm për ta kënaqur atë.

Kjo do të jetë një llogaritje e gabuar nga ana e tij. Qëndrueshmëria e Evropës është më e fortë se sa mund të sugjerojë “Sindroma e Stokholmit” e shfaqur këtë vit nga Suedia. Megjithatë, shpeshherë luftërat nisin pikërisht për shkak të llogaritjeve të tilla të gabuara. Kjo është arsyeja pse kthjelltësia është kaq shumë e rëndësishme, raporton abcnews.al.

Ndalimi i agresionit turk kundër kurdëve sot, mund të parandalojë një konflikt vdekjeprurës me Greqinë ndërsa po afrohen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Turqi. Është koha për t’i bërë ballë Erdoganit, për ta ndalur financimin dhe pajisjen e ushtrisë turke dhe për të rritur koston nëse Turqia kërkon që të operojë ushtarakisht jashtë kufijve të saj.

Shënim:Michael Rubin, anëtar në think-tankun “American Enterprise Institute” (AEI). Libri i tij i fundit titullohet “Çfarë e shkakton realisht paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme?”.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!