TIRANË- Partia Socialiste e Shqipërisë është garantja e vetme për funksionimin dhe ekzistencën e drejtësisë së re.
Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Blendi Klosi në studion e emisionit “Real Story”, me gazetarin Sokol Balla.
Ai theksoi se dallimi mes PS dhe PD është shumë i qartë kur vjen puna në mbushjen e institucioneve të reja të drejtësisë; njëra ofron mbështetje, tjetra kërcënon me shkrirjen e saj.
Sipas tij, Sali Berisha premton shkrirjen e SPAK, kurse Rama mbështetjen e pakursyer për këtë strukturë të re. Më tej, Klosi tha se nuk do ketë asnjë pazar me Partinë Demokratikë, në kurriz të sistemit të drejtësisë.
“Ne kemi premtuar shpesh, Edi Rama e ka thënë sa herë ka dalë në televizor, që e vetmja garanci për funksionimin dhe ekzistencën e drejtësisë së re është PS. Pra ndryshimi mes Edi Ramës dhe Sali Berishës është i tillë, që Edi Rama thotë se ne jemi garantët dhe PS do ta vazhdojë drejtësinë e re dhe do të mbështesë organet e drejtësisë së re dhe Sali Berisha del e thotë se do ta shkrijë SPAK. Dy botët janë aq shumë të ndara nga njëra tjetra sa nuk ka nuanca. Nuk ka një pazar të ri për drejtësinë e re”, tha ai./abcnews.al

