Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Trupat ruse që u tërhoqën nga Kievi kanë lënë pas një sërë mizorish. Kryebashkiakja e Motyzhyn, një periferi të kryeqytetit, u gjet me sy të lidhur dhe u qëllua, me sa duket nga forcat ruse, së bashku me familjen e saj.
Një dëshmitar okular tha për Human Rights Watch, një organizatë bamirëse, se ushtarët rusë hodhën një granatë në një bodrum në Vorzel, afër Irpin, dhe më pas qëlluan një grua dhe fëmijën e saj. Një tjetër dëshmitar tha se forcat ruse qëlluan një burrë përpara 40 të tjerëve. Sipas një deklaratë të prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës më 3 prill, 410 civilë ishin vrarë rreth Kievit.
Dëshmitë e mizorive ruse përbëjnë “gjenocid”, kështu i kanë cilësuar krimet në Ukrainë presidenti i Ukrainës dhe kryeministri i Polonisë. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ajo që kishte ndodhur në Bucha ishte krim lufte dhe se Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, duhet të dënohet nga një gjykatë ndërkombëtare, raporton abcnews.al.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkoi një tjetër hetim dhe Ukraina tha se do të nisë një hetim të përbashkët me BE-në. Ish-kryeprokurori i OKB-së për krimet e luftës në Jugosllavi dhe Ruandë kërkoi që të lëshohej një urdhër arresti ndërkombëtar kundër Putinit.
Nga ana e saj, Rusia tha se e gjithë masakra në Bucha ishte provokim, më pas fajësoi ukrainasit për këtë, duke kërkuar një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar “provokimin e radikalëve ukrainas në Bucha”. Sigurisht mund të ekzistojë mundësia që forcat ukrainase të kenë kryer mizori të tilla por jo në të njejtën shkallë.
Por Ukraina, me sa duket, ka nisur hetime për këto krime, ndryshe nga Rusia. Në këtë rast të veçantë, dekompozimi i trupave të viktimave tregon se ata ishin vrarë shumë përpara se forcat ukrainase të rimarrnin kontrollin e Bucha-s. Dëshmitë nga fusha e betejës konfirmojnë se rusët kanë kryer të paktën tre lloje të veprave penale në luftë.
E para janë krimet e luftës. Sipas Konventës së Gjenevës, krimet e luftës përfshijnë vrasjen me dashje, shkaktimin e qëllimshëm të vuajtjeve të mëdha, shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve dhe shkatërrimin ose përvetësimin e pronës.
Ekzekutimet në Bucha përbëjnë krime lufte, po ashtu edhe bombardimi i teatrit të Mariupolit, i cili ishte streha më e madhe e qytetit për sulmet ajrore, në të cilin kishte të shkruar me shkronja të mëdha fjalën “fëmijë”.
Konventat e Gjenevës përcaktojnë se cilat janë detyrimet ligjore ndërkombëtare për të gjitha veprimet ushtarake. Nuk ka rëndësi nëse Rusia i ka shpallur zyrtarisht apo jo luftë Ukrainës.
Së dyti, pushtimi i Rusisë përbën në vetvete një krim, pavarësisht nga mënyra se si ka ndodhur. Është një agresion. Kjo është e përcaktuar në statutet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila gjykon individët për veprime sipas ligjit ndërkombëtar.
Në agresion përfshihet pushtimi ushtarak, aneksimi, bombardimet dhe bllokimi i porteve.
Së fundmi, shkalla e veprimeve ruse rreth Kievit (dhe gjetkë) tregon se Rusia është fajtore për krime kundër njerëzimit. Mijëra ukrainas janë vrarë dhe mbi 4 milionë janë larguar për t’i shpëtuar agresionit rus, raporton abcnews.al.
Në disa gjykata ndërkombëtare kanë nisur procedurat për dënimin e përgjegjësve. Dy prej tyre kanë marrë vendimet fillestare në favor të Ukrainës. Në të parën, më 16 mars, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) vendosi se Rusia “duhet të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që filloi” më 24 shkurt.
Ukraina tha se argumenti i Rusisë se kishte nisur një pushtim për të parandaluar një gjenocid ukrainas në rajonet separatiste ruse-folëse ishte i rremë sipas konventës së OKB-së për gjenocidin. Rëndësia e vendimit nuk ishte vetëm se gjykata ra dakord me Ukrainën, por se i kërkoi Rusisë të tërhiqte forcat ushtarake nga Ukraina.
Vendimi tjetër erdhi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila është pjesë e Këshillit të Europës, një organ qeveritar për të drejtat e njeriut. Më 1 prill, ajo konfirmoi një vendim të mëparshëm se Rusia duhet të “përmbahet nga sulmet ushtarake kundër civilëve dhe objekteve civile, duke përfshirë shkollat dhe spitalet”.
Gjykata shtoi se Rusia kishte marrë një vendim të gabuar kur i detyroi refugjatët nga Mariupol të largoheshin për në Rusi, në vend që të zgjidhnin vetë. Por është një gjë të marrësh vendime, një tjetër gjë të çosh në një gjykatë ndërkombëtare çdo rus, e lëre më kreun e tij të shtetit, raporton abcnews.al.
Rusia u përjashtua nga Këshilli i Europës më 16 mars. Që nga viti 2016, vendi nuk e ka njohur as autoritetin e ICC-së. Kjo nuk përjashton mundësinë që prokurori i ICC-së të ngrejë një çështje ose të lëshojë urdhër-arrest kundër rusëve. Por veprime të tilla do të kërkonin që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta dërgojë çeshtjen e Ukrainës në gjykatë.
Rusia pranon vetëm autoritetin e një gjykatë tjetër ndërkombëtare, të paktën në teori. Ashtu si me ICC-në, mënyra e vetme për të zbatuar vendimet e ICJ-së është përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Prandaj, nëse Putini do të qëndrojë në pushtet, apo edhe nëse ai jep dorëheqjen, por vazhdon të mbrohet nga pasardhësit, drejtësia ndërkombëtare nuk do vendoset kurrë.
Procedurat ligjore do të vazhdojnë dhe ka të ngjarë të sjellin pengesa të vazhdueshme në çështjen ligjore dhe pozitën diplomatike të Rusisë. Ndërkohë, aleatët e Ukrainës do të duhet të gjejnë mënyra të tjera për të rritur presionin ndaj Putinit. Këto përfshijnë më shumë sanksione dhe më shumë armë vdekjeprurëse për Ukrainën.
Edhe përpara masakrës në Bucha, aleatët e NATO-s kishin filluar të dëgonin armë të rënda në Ukrainë. New York Times raportoi më 1 prill se administrata Biden kishte planifikuar të dërgonte tanke T-72 të prodhimit sovjetik për të forcuar forcat ukrainase në rajonin e Donbasit.
Këto do të ishin tanket e para që Amerika do t’i dërgonte Ukrainës, e cila kishte këmbëngulur më parë se ndihma e saj ushtarake ishte thjesht mbrojtëse. Më 16 mars, Britania dërgoi në Ukrainë raketën anti-ajrore Starstreak, raporton abcnews.al.
Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian, tha se do të miratohen paketa të tjera shtesë. Ato do të përfshijnë vendosjen e më shumë kufizimeve për oligarkët, ndalimi i anijeve ruse nga portet e BE-së dhe izolimi i bankave ruse nga SWIFT. Por këtë herë, BE-ja mund të përfshijë gjithashtu embargo për furnizimet me energji, diçka e kërkuar prej kohësh nga Zelensky, por që është kundërshtuar nga shtetet importuese të gazit.
Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, blerësi më i madh i gazit në Europë, i bëri thirrje BE-së që të diskutojë ndalimin e importit të gazit rus. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ai do të mbështeste ndalimin e naftës dhe qymyrit rus. Ashtu si Gjermania, Italia është e varur nga energjia ruse. Kufizime të tjera të energjisë tashmë po hyjnë në fuqi: më 3 prill Lituania u bë vendi i parë i BE-së që ndaloi importet e gazit rus.
Krimet e luftës duket se kanë forcuar vendosmërinë mes aleatëve perëndimorë të Ukrainës.
Sekretari amerikan i SHBA-së, tha se nuk duhet të qëndrojmë në heshtje pasi diçka e tillë nuk mund të shndërrohet në një normalitet.
/abcnews.al