Mes sulmesh me artileri dhe shkatërrimit të shkaktuar nga trupat ruse në Ukrainën lindore, Kina befasoi botën me njoftimin që bëri të mërkurën.
“Pala kineze do të dërgojë një përfaqësues të posaçëm të qeverisë që mbulon çështjet euroaziatike, për të vizituar Ukrainën dhe vende të tjera, me qëllimin për të zhvilluar një komunikim të thellë me të gjitha palët, për një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë”, tha Yu Jun, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kineze.
Kina bëri disa njoftime publike dje, duke tërhequr vëmendjen ndaj nismës së saj diplomatike lidhur me Ukrainën. Pekini tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas.
Zoti Zelenskyy, i cili e kishte kërkuar prej kohësh një gjë të tillë, në një njoftim në Twitter i përshëndeti bisedimet.
Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby përshëndeti njoftimet mbi një bisedë telefonike mes dy udhëheqësve. Ai tha se është e rëndësishme që Presidenti Xi dhe zyrtarët e Republikës Popullore të Kinës të njihen me pikëpamjen e Kievit mbi sulmin e paligjshëm e të paprovokuar të Rusisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Moska sheh përputhje të gjerë me qasjen e Kinës, por pengesa kryesore, sipas saj, janë ato që i quajti, kërkesa jorealiste të Kievit.
Presidenti kinez vizitoi Moskën në muajin mars. Pekini ka refuzuar të dënojë sulmin rus në Ukrainë, apo të bëjë thirrje për tërheqjen e trupave të këtij vendi. Por nga ana tjetër ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje të të gjitha palëve si dhe ka akuzuar NATO-n për nxitje të konfliktit. Nisur nga ky qëndrim, shumica e ekspertëve të politikës së jashtme, janë skeptikë mbi rolin e Kinës si një ndërmjetësuese për paqe.
Michael Kimmage i Universitetit Katolik të Amerikës, thotë për Zërin e Amerikës se është e pamundur që Kina të ofrojë një kornizë të dobishme diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
“Kina kërkon të luajë një rol në rindërtimin e Ukrainës, pasi është një aktor i madh ekonomik dhe një vend i madh. Por Kina nuk mund të jetë për momentin dhe as për të ardhmen, ndonjë alternativë realiste për ndonjë nga aktorët e luftës”, thotë ai.
Zoti Kimmage thotë se në lojë janë faktorë ekonomikë.
“Kina dhe Ukraina kanë patur një marrëdhënie mjaft të konsiderueshme ekonomike. Para luftës, besoj se Kina ishte partneri më i madh tregtar i Ukrainës. Pekini ka një rrjet interesash ekonomike, jo vetëm në Ukrainë, por edhe me gjerë në rajon“, shtoi ai më tej.
Ndërkohë, udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Alexei Navalny, bëri të ditur mërkurën se ai mund të përballet me burgim të përjetshëm lidhur me akuza për terrorizëm ndërsa autoritetet po përgatiten për një gjyq të ri kundër tij. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore vazhdojnë të bëjnë thirrje për lirimin e zotit Navalny, duke i cilësuar absurde akuzat e ngritura kundër tij./VOA