Gazetari Fatos Çoçoli, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi debatin mbi rritjen e pagave për gjyqtarët, duke theksuar se raporti mes pagës së magjistratëve dhe pagës mesatare në Shqipëri është shumë më i lartë krahasuar me vendet e rajonit.
Sipas tij, kjo krijon një hendek të madh social dhe prek moralin publik, veçanërisht nëse Gjykata Kushtetuese vonon marrjen e një vendimi.
Në të njëjtën linjë, avokati Rezart Kthupi vuri në dukje problematikat serioze infrastrukturore të sistemit gjyqësor, duke theksuar mungesën e hapësirave të përshtatshme për zhvillimin e gjyqeve në disa prej gjykatave kryesore të vendit.
Fatos Çoçoli: Raporti mes pagës mesatare të magjistratëve dhe pagës mesatare në shtetin tonë, po të shikojmë vendet e rajonit niveli është shumë më i ulët. Raporti tek ne është shumë i lartë, këtu mbaron edhe morali. Nëse Gjykata Kushtetuese vonon pro, ky hendek do të thellohet, ky kas magjistratësh do të konsiderohet si një klasë shumë e privilegjuar. Morali publik mendoj që do të preket dhe njerëzit do të ndjehen jo mirë me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi strukturë vërtetë emergjente të magjistratëve që punojnë në kushte të papërshtatshme. Di që tani është një projekt për ndërtimin e një gjykate të vendit tonë. Do të jetë një ndërtesë për Gjykatën e Lartë.
Rezart Kthupi: Gjykata e Apelit sot që flasim nuk ka ku të bëjë gjyqe. Të mos flasim për Gjykatën Administrative është si labirint, kurse në Gjykatën Kushtetuese është shumë e vogël, gjyqtarët nuk rrinë as dy metër larg njëri-tjetrit.


