Katër ditë më parë Prokuroria e Tiranës vendosi që të rihapte hetimet e pezulluara për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës në 21 janar 2011 në qendër të Tiranës gjatë protestës së opozitës së atëhershme.
Gazetari investigativ Artan Hoxha dëshmitar i demonstratës që përfundoi me 4 të vdekur u shpreh në emisionin “Log” në ABC se në 21 Janar nuk kishte urdhër për të hyrë në Kryeministri, por vetëm për të marrë sheshin.
“Urdhri nga protestuesit apo atij grupit aktiv nuk ka qenë të hyjnë në kryeministri, por të merrej sheshi, ata e kanë marrë jo njëherë por disa herë, por hipnin atje te muri rrethues dhe i kthenin shpinën Kryeministrisë dhe festonin.
Pas gardhit kanë qenë telat me gjemba të gardës, por ata nuk hynin brenda. Meqë kam qëndruar shumë nga veriu dhe jam marrë me “Dosjen Tropoja”, atje ofendimi më i madh nuk është kur të godasin me plumb, por kur ai tjetri të poshtëron, sikur është ajo shprehja në veri më mirë qëlloje tjetrin “me plumb sesa me shuplakë” sepse e turpëron dhe këta bënë të njëjtën gjë.
Dhe më pas pjesa dërruese e atyre që arrestoi policia mbrapa, personave aktivë në protestë, jo më kot ishin nga veriu, një moment Berisha e quajti “revolucioni i katolikëve të veriut”. Por vetëm njëherë e përdori këtë shprehje. Këta ishin njerëz që kishin ardhur të bënin këtë gjë, hipnin merrnin sheshin dhe u kthenin shpinën. Skema ishte të shfryhej gjithë ajo situatë, videoja bëri punën e vet” tha ai.
Hoxha tha se institucionet kishin informacion se do të kishte dhunë, pasi militantët kërkonin përballje nga lodhja e protestave të njëpasnjëshme. “Protestuesit kërkuan vendosmëri dhe unë prandaj hipa atje sipër sepse kisha informacion. Militantët e partisë donin përballje, përplasje, dhe këta vajtën e bënë, e morën sheshin, i treguan policisë dhe Berishës që nuk je aq i fortë.
Por kush ja ktheu situatën përmbys Berishë? Nuk gjeti një armë në turmë. Ajo që quhet balancim forcash. Dhe gabimi tjetër i qeverisë ka qenë emërimi i gabuar i drejtuese si të policisë dhe gardës që treguan se ishin të paaftë të menaxhonin. SHIK, policia dhe LSI kishin informacion se protesta do të ishte e dhunshme” tha ai./ Abcnews.al