A kërcënohet vërtet Man City me përjashtim nga Premier League?

schedule21:32 - 6 Shkurt, 2023

schedule 21:32 - 6 Shkurt, 2023

Përshtati në shqip Gerli Doko

Klubi ka më shumë se 100 shkelje. Manchester City është në telashe të mëdha. Premier League akuzoi klubin për shkelje të shumta financiare nga sezoni 2009/2010 deri në sezonin 2017/2018. Tani klubit mund t’i hiqen pikët dhe madje të përjashtohet nga liga. Tashmë Premier League ia ka përcjellë informacionin një komisioni të posaçëm, i cili do të zhvillojë procedurat në mënyrë konfidenciale dhe me dyer të mbyllura.

Gazetari i Times, Martin Ziegler shkruan se Manchester City nuk do të jetë në gjendje të apelojë në CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) nëse klubi është ende subjekt i sanksioneve, një rregull i tillë është vendosur nga Premier League. Ne tregojmë se çfarë ndodhi me një nga klubet më të pasura në botë.

Pra, çfarë ka shkelur Man City?

Në faqen zyrtare të Premier League, ata publikuan një raport në të cilin përshkruan rregullat që ka shkelur Manchester City. Për shembull, Premier League pretendon se në secilin prej sezoneve klubi nuk ka dhënë informacion të saktë për situatën financiare, përkatësisht të ardhurat nga sponsorët dhe shpenzimet operative.

Gjithashtu, sipas Premier League, nga sezoni 2009/2010 deri në sezonin 2012/2013, Man City fshehu informacionin e saktë për pagën e trajnerit kryesor, Roberto Mancini i cili punoi në klub gjatë kësaj periudhe. Manchester City ka kryer shkelje të ngjashme ndaj disa lojtarëve, por emrat dhe mbiemrat e tyre nuk janë specifikuar.

Premier League raporton gjithashtu se në tre sezone  2013/2014, 2014/2015 dhe 2017/2018, klubi i Mançesterit ka shkelur licencimin e klubeve të UEFA-s dhe rregullat e fer-play-it financiar.

Dhe më e rëndësishmja, që nga dhjetori 2018, City nuk ka bashkëpunuar me Premier League gjatë hetimeve dhe nuk i ka ofruar ligës dokumentet e nevojshme, edhe pse kjo kërkohej nga rregullorja.

Si ka reaguar klubi?

City bëri një deklaratë në faqen zyrtare dhe deklaroi se nuk ishte kundër shqyrtimit të kësaj çështjeje, si dhe procedurave kundër klubit.

“Manchester City është i befasuar nga publikimi i këtyre shkeljeve të supozuara të rregullave të Premier League, veçanërisht duke pasur parasysh përfshirjen e gjerë dhe sasinë e madhe të materialit të detajuar që i është vënë në dispozicion Premier League.

Klubi mirëpret shqyrtimin e kësaj çështjeje nga një komision i pavarur për një vlerësim të paanshëm të grupit gjithëpërfshirës të provave të pakundërshtueshme në mbështetje të pozicionit të tij. Prandaj, ne presim që kjo çështje të zgjidhet një herë e përgjithmonë”, thuhet në një deklaratë të klubit.

A i kanë shpëtuar tashmë dënimit?

Po. Në shkurt të vitit 2020, Dhoma Gjyqësore e Trupit të Kontrollit Financiar të UEFA-s zbuloi se Manchester City ka shkelur rregullat e licencimit dhe të lojës së ndershme financiare duke rritur të ardhurat nga sponsorizimet midis 2012 dhe 2016 dhe duke pretenduar se do t’i shkelte ato gjatë asaj periudhe. Dhe gjithashtu nuk bashkëpunoi në hetimin e çështjes.

UEFA filloi procesin pas materialit të Spiegel në nëntor 2018. Media gjermane publikoi email-e nga CFO i Manchester City, Andrew Widdowson, i cili zbuloi një skemë për të anashkaluar Fair Play Financiar: të gjitha financat e klubit u shpërndanë midis kompanive në pronësi të Sheikh Mansour ibn Zayed al-Nahyan.

Në manipulimin e kontratave të sponsorizimit është përdorur emërtimi i stadiumit. Në vitin 2015, Etihad i pagoi klubit vetëm 8 milionë funte nga 67.5 milionë funte të kërkuara sipas marrëveshjes së sponsorizimit të stadiumit dhe akademisë. Pjesa tjetër shkoi në llogarinë e klubit nga Abu Dhabi United, një strukturë që i përket Sheikh Mansour.

Manchester City njoftoi menjëherë se të dhënat janë vjedhur dhe janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe personi që i ka dhënë Spiegel-it është akuzuar më parë për 147 krime. Plus, UEFA ishte fillimisht armiqësore dhe publikisht i shpalli akuzat në dhjetor 2018, kur hetimi nuk kishte filluar.

Në shkurt 2020, klubi u përjashtua nga Liga e Kampionëve për dy sezone dhe u gjobit me 30 milionë euro. Drejtuesit e City apeluan dhe shkuan në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, duke arritur të fitojnë çështjen deri në verë. Është anuluar zyrtarisht pezullimi dyvjeçar i UEFA-s. Man City gjithashtu arriti të zvogëlojë gjobën nga 30 milionë euro në 10 milionë, shuma duhej të shlyhej brenda 30 ditëve. /G.D abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!