Meningokoksemia i merr jetën një personi.
Bëhet fjalë për një 27 vjeçar efektiv policie, i cili humbi jetën dy ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Konfirmimi vjen nga shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino.
“Infeksioni nga meningokoku është një infeksion fatal i cili ka evolucion të shpejtë, dhe kjo është arsyeja që personi ka humbur jetën pavarësisht përpjekjes së mjekëve”, tha bino.
Ndërkohë mjekja infeksioniste tregon se në Institutin e Shëndetit Publik po analizohen mostrat e tre personave të tjerë.
“Një rast në Durrës po ekzaminohet në laborator, edhe për gripin. Dy raste të tjera nuk janë grip. Ne po monitorojmë situatën, por dua të them që nuk kemi asnjë situatë epidemike, të shkaktuar nga meningokoku”, tha ajo.
Meningokoksemia është një sëmundje e transmetueshme, por shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino thotë se nuk ka vend për panik.
Personat që kanë pasur kontakt me 27 vjeçarin kanë marrë antibiotiket e nevojshëm për të tilla raste./abcnews.al