TIRANË- Analisti Mentor Nazarko duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, tha se palët politike në vend krijojnë opinione mbi punën e SPAK, sipas interesave të tyre.
I ftuar në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, Nazarko u shpreh se edhe Rama nuk mbajti një qasje të drejtë institucionale, që t’i referohej vetëm standardeve.
“Kur SPAK vepron kundër Veliaj, vërtet Sali Berisha thotë shumë mirë SPAK. Kurse Rama reagoi dhe foli për standardet vetëm kur u prek Veliaj, ndërkohë që në gjykimin tim, qasja e tij duhet të kishte qenë institucionale, pra, ai është kryeministër, ka këshilltarë të mirë dhe duhej t’i referohej standardeve dhe jo të bënte diskutim që t’i ngjante përplasjes institucionale”, tha ai.
I pyetur nëse në Shqipëri po merr jetë ajo që kryeministri Rama e cilësoi si “republika e prokurorëve”, Nazarko dha këtë sqarim në studion e “Real Story”:
“Tani, Rama, por edhe grupe opinionistësh përdorin termin e “republikë prokurorësh”. Pra, a jemi në kushtet kur ky grup special, unë mendoj se ka yshtje prej tyre dhe kjo yshtje vjen me siguri prej mandatit që kanë marrë në fillim, ata kane qenë, nuk dua të them drejtësi me regji, por gjithsesi drejtësia e ndikuar, e komanduar dhe e këshilluar nga faktori perëndimor, i cili me gjasë ka dashur që t’i japë fund klasë së vjetër politike, të majtës dhe të djathtës. Në këtë kuptim, ky operacion që po ndodh në Shqipëri, dhe vetëm në Shqipëri, dhe prandaj dhe Shqipëria i ka kuotat e larta dhe në integrimin europian, i ngjan pak atij ‘duarve të pastra’ të 1991”, tha ai./abcnews.al