Nga Spencer Bokat-Lindell “The NewYork Times”
Kur Shtetet e Bashkuara njoftuan tërheqjen e tyre ushtarake nga Afganistani në maj të këtij viti, Talibanët nuk humbën aspak kohë për të nisur një ofensivë që synon rimarrjen e kontrollit të vendit. Gjithsesi presidenti Joe Biden, nuk është tërhequr nga plani i tij për ta përfunduar tërheqjen deri më 11 shtator, në 20 vjetorin e sulmeve terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë.
“Ne nuk shkuam në Afganistan për të ndërtuar kombin afgan. Dhe është e drejta dhe përgjegjësia vetëm e afganëve që të vendosin mbi të ardhmen e tyre, dhe si ata duan të drejtojnë vendin e tyre”- tha ai disa ditë më parë.
Ky është një mesazh shumë i ndryshëm nga ai që dominonte në fillim të viteve 2000, kur George W.Bush deklaroi se “dhënia fund e tiranisë në botën tonë” ishte bërë “thirrja e kohës sonë”. Po si është rritur dhe më pas zbehur interesi i SHBA mbi ndërhyrjet ushtarake humanitare me kalimin e viteve, dhe si duket qasja e sotme e Biden?
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë konceptuar gjithnjë veten si “xhandari i botës”. Ndërsa Amerika e zgjeroi dominimin e saj në Hemisferën Perëndimore gjatë shekullit XIX-të, ajo nuk u shfaq si një superfuqi ushtarake globale deri në Luftën e Dytë Botërore.
“Kapitullimi i Francës përballë Gjermanisë në vitin 1940, i bindi udhëheqësit e SHBA-së mbi nevojën për të ndërhyrë në atë luftë”-tha Daniel Immerwahr për“The New Yorker” vitin e kaluar. “Në vitin 1941, botuesi Henry Luce shkoi më tej kur propozoi një ‘Shekull Amerikan’, një rend global të pasluftës të udhëhequr nga vlerat, institucionet dhe përfundimisht nga forca ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Ideja e Luce ishte në fillim e diskutueshme, megjithatë deri në fund të luftës u duk si e pashmangshme”-theksoi ai.
Një pjesë e justifikimit të epërsisë ushtarake amerikane ishte e natyrës taktike. Pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit amerikanë e panë si një kërcënim të sigurisë kombëtare Bashkimin Sovjetik dhe përhapjen e komunizmit.
“Në një botë në tkurrje, e cila përballet tani me kërcënimin e luftës atomike, nuk është një objektivi i duhur të synosh të kontrollosh modelin e Kremlinit, pasi mungesa e rendit midis kombeve po bëhet gjithnjë e më pak e tolerueshme. Ky fakt na imponon përgjegjësinë e udhëheqjes botërore”- thuhej në një dokument të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Por epërsia ushtarake e SHBA-së, fitoi gjithashtu edhe një dimension moral. “Nëse duhet ta përdorim forcën, kjo do të ndodhë sepse ne jemi Amerika; kombi i domosdoshëm. Ne mbrojmë vlerat universale dhe shohim më larg në të ardhmen se sa vendet e tjera”-deklaroi në vitin 1998 Madeleine Albright, Sekretarja e Shtetit e presidentit Bill Clinton.
Logjika e ndërhyrjes ushtarake humanitare fitoi terren në vitet 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik, me“momentin unipolar” të dominimit amerikan, dhe pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, kur midis konservatorëve u bë gjithnjë e më e zakonshme lidhja e sigurisë kombëtare me promovimin e demokracisë jashtë vendit.
“Dështimi i demokracisë irakiane, do të inkurajonte terroristët në të gjithë botën, do të shtonte rreziqet për popullin amerikan,do shuante shpresat e miliona njerëzve në rajon. Demokracia irakiane do të ketë sukses. Dhe ky sukses do të dërgojë lajmin, nga Damasku në Teheran, se liria mund të jetë e ardhmja e çdo kombi”- deklaroi George W.Bush në vitin 2003, pasi Shtetet e Bashkuara kishin pushtuar Irakun.
Për kolumnistin e “The New York Times”, David Brooks, që të dyja arsyetimet e sigurisë kombëtare dhe humanitare për hegjemoninë ushtarake amerikane,janë ende dominuese. “Çdo ditë unë shoh i progresistët teksa mbrojnë të drejtat e grave, të drejtat e LGBTQ dhe drejtësinë racore në SHBA, dhe sërish përkrahin një politikë të jashtme që u jep pushtetin Talibanëve, Hamasit dhe forcave të tjera reaksionare jashtë vendit”-shkruan ai.
“Nëse duam të luftojmë autoritarizmin Trumpian në shtëpi, ne duhet të luftojmë markat më helmuese të autoritarizmit që lulëzojnë në të gjithë botën. Kjo do të thotë të qëndrosh në ato vende”- shtoi ai.Por për mirë a keq, angazhimi ushtarak jashtë vendit dhe dominimi i SHBA-së në përgjithësi, janë bërë shumë jopopullore për publikun amerikan.
Një arsye është se justifikimet me rrezikun e sigurisë kombëtare për epërsinë e SHBA-së në botë, nuk bindin aq shumë njerëz sa pas 11 Shtatorit. “Amerikanët jetojnë në një botë më të sigurt dhe më të lirë se kurrë më parë në historinë njerëzore”- shkruajnë Micah Zenko dhe Michael A.Cohen në një libër të tyre të vitit 2019.
Dekada të tëra diskutimesh rreth kërcënimeve të huaja nga ata në Uashington, argumentuan ata, kanë lënë në hije problemet që po dëmtojnë vërtet amerikanët:arsimi dhe sistemi i kujdesit shëndetësor nën standardet e duhura, infrastruktura e shkatërruar, dhuna e armëve të zjarrit, pabarazia, ngërçi politik, dhe ndryshimi i klimës.
Lufta globale kundër terrorizmit dhe pushtimi i Irakut, e dëmtoi po ashtu shumë rëndë justifikimin humanitar për ndërhyrjet ushtarake. Gati 2 dekada më vonë, Peter Beinart argumenton në “The Times”, është SHBA-ja e ka të vështirë të ruajë imazhin e saj të preferuar si një aktore globale e dobishme në një mënyrë unike.
Sipas Institutit Uotson të Universitetit Braun për Çështjet Ndërkombëtare dhe Publike, luftërat e Amerikës pas suleve të11 Shtatorit, kanë shkaktuar vdekjen e mbi 800.000 njerëzve, zhvendosjen e 37 milionë të tjerëve, dhe kanë kushtuar rreth 6.4 trilionë dollarë.
Sa për krahasim rreth 1.9 trilionë dollarë më shumë se sa kostoja që vlerësohet se duhet
për kalimin e plotë të rrjetit energjitik amerikan nga karburantet fosile tek burimet e rinovueshme. Po ashtu, SHBA-ja vazhdon të eksportojnë më shumë armë se çdo vend tjetër, përfshirë në 5 nga 6 shtetet më ndërhyrëse në Lindjen e Mesme.
Atëherë, si duhet ta ndryshojnë Shtetet e Bashkuara qasjen e tyre ndaj botës? Beinart i referohet klerikut të ndjerë Martin Luter King, që gjatë një fjalimi të vitit 1967 kundër Luftës së Vietnamit, e quajti qeverinë e Shteteve të Bashkuara si “furnitoren më të madhe të dhunës sot në botë”.
Në vend se të synojnë të dominojë botën, argumentoi King, Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë“solidaritet” me të. Së pari, duke e frenuar militarizmin e saj, dhe së dyti duke u bashkuar me një përpjekje globale për të luftuar “varfërinë, pasigurinë dhe padrejtësinë”.
Nëse Biden e përqafon konceptin e King mbi solidaritetin, shkruan Beinart, ai “do të pranonte që ndërsa Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë shumë për të ndihmuar kombet e tjera, detyrimi i saj i parë – sidomos pas tmerreve të epokës Trump – është të ndalojë së bëri dëme”.
Javën e kaluar, Biden refuzoi një kërkesë të kryeministrit të përkohshëm të Haitit për mbështetje ushtarake pas vrasjes së presidentit të vendit, Jovenel Moïse. Ishte një vendim që disa analistë e cilësuan si një shenjë tjetër të tkurrjes së hegjemonisë amerikane.
“Xhandari i botës është zyrtarisht jashtë detyrës”- shkroi Max Boot në “The Washington Post”. “Pas dështimit në Irak dhe Afganistan, ne e kemi humbur oreksin për ndërtimin e demokracisë jashtë vendit”- shtoi ai. Por të tjerët, si Noam Chomsky, nuk shohin shumë ndryshim.
Neokonservatorët nuk kanë asnjë interes të dërgojnë trupa në Haiti në rrethanat aktuale, thotë ai, dhe tërheqja nga Afganistani, e lë ende të hapur mundësinë e sulmeve ajrore amerikane atje. Ndërkohë në zona të tjera, si Kina, Biden ka një qëndrim më konfrontues “dhe shumë më të rrezikshëm sesa paraardhësit”. / Përktheu: Alket Goce-abcnews.al