A ka përplasje klanesh në partinë e Metës? Braimllari: Nuk duhet të ketë centralizim, por hapje në parti

schedule17:35 - 25 Prill, 2024

schedule 17:35 - 25 Prill, 2024

TIRANË- Ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i ftuar në “News Line” me gazetaren Viol Xhafaj u shpreh se në Konventën e 27 prillit do të marrë pjesë dhe do mbështesë vendimet e saj.

Ai theksoi se në kushtet aktuale, Partia e Lirisë nuk duhet të shkojë drejt formave centralizuese, por asaj i duhet një hapje e madhe duke vënë theksin tek meritrokacia për çdo anëtar dhe simpatizant.

“Do të jem anëtar i PL-së dhe në konventë do të shkoj. Do ketë një riorganizim rrënjësor të partisë. Nuk jam pro një skemë të tillë, pasi duhet të ketë një hapje të partisë. Në momentin që je në opozitë, nuk duhet të ketë një centralizim. Nuk mendoj se i ka dalë nga duart partia Metës. Unë kam dhënë dorëheqje për t’i hapur rrugë kësaj skeme dhe unë do të jem në konventë dhe do të mbështes  vendimet e konventës”, tha ai.

Sipas Braimllarit, vendosja në statut një nen kundër nepotizmit është një skemë përjashtuese për Partinë dhe kjo nuk i shërben askujt.  Sipas tij, e gjitha duhet të bazohet te performanca dhe meritrokacia.

“Për mua nepotizmi përjashton, nuk bashkon. Propozimi i Kryemadhit për ligjin e konfliktit të interesit rregullon performancën dhe vendos theksin tek meritrokacia. Nuk besoj se ka klane në parti. Nepotizmin e shoh si nen anti-Monika në statut. Nuk është show. Unë kam dy platforma për të mbështetur. Propozimet e Kryemadhit për ndryshimet statutore dhe për konfliktet e interesit, që e vë theksin te meritrokacia dhe jo tek përjashtimet”, tha ai.

I pyetur se a ka marrë pjesë në protestën e mbajtur para bashkisë Tiranë, Braimllari u shpreh: “Tek e para s’kam qenë për shkak të disa angazhimeve familjare. Kam qenë tek e dyta edhe nesër do jem prezent “, shtoi ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!