A janë të rrezikshme nishanet e kuqe? Dermatologia: Shkaqet e mundshme, kur duhet të shqetësoheni

schedule10:52 - 23 Qershor, 2021

schedule 10:52 - 23 Qershor, 2021

Mjekja dermatologe Silvana Mishtaku ishte e ftuar këtë të mërkurë në “Abc-ja e mëngjesit” ku foli për nishanet e kuqe që shfaqen në lëkurë. Dermatologia në Klinikën Vivia shpjegoi se këto nishane shkaktohen nga grumbullimi i enëve të gjakut në sipërfaqen e lëkurës, të cilat nuk paraqesin një shqetësim, përveç rasteve kur shfaqen menjëherë dhe janë të shumtë në numër.

“Në rastin kur ka një shfaqje të menjëhershme të tyre dhe në numër të madh mund të jenë të lidhura më sëmundje të tjera si me mëlçinë apo me ndryshime hormonale. Ato që dalin një e nga një, me kalimin e viteve nuk janë problematike. Nuk kemi përse të trembemi, në rastin që gërvishten dhe nëse shoqërohen me skuqje, është mirë që të drejtoheni tek dermatologu.“, tha Mishtaku.

Sipas saj, këto nishane të cilat shtohen me kalimin e viteve, kanë tendencë të shfaqen tek lëkurat e çelëta, pas moshës 30 vjeç por gjithashtu mund të kenë dhe predispozitë gjenetike. Përsa i përket mënyrës së trajtimit, dermatologia tha: “Mund të trajtohen me disa mënyra, në varësi të pozicionit ku janë vendosur apo kohës që ka një individ.

Është elektrokauteria, një djegie me rrymë elektrike. Azoti i lëngshëm nëpërmjet temperaturave të ulëta, që shkatërron qelizat. Gjithashtu dhe nëpërmjet lazerit që detekton pigmentin e enës së gjakut si dhe nëpërmjet mikrokirurgjisë me anestezi lokale.”, tha doktoresha. Venerologia shpjegoi gjithashtu se është e nevojshme aplikimi i kremit mbrojtës kundër diellit në varësi të specifikës së lëkurës.

“Duke qenë se ka dhe disa teori që thonë se duke aplikuar kremin pengohet sinteza e vitaminës D, jam për një alternativë të ndërmjetme deri në 09:30 mund të ekspozoheni pa krem mbrojtës për deri në 30 minuta për të stimuluar sintezën e vitaminës D dhe më pas vendosjen e kremit të diellit deri në orën 4-5 pasdite, duke evituar qëndrimin e drejtpërdrejtë.“, tha ajo. xh.d/abcnews.al