Kardiologu i njohur, Spiro Qirko është shprehur se nuk ka asnjë studim shkencor që tregon se duhanpirësit kanë më pak gjasa të preken nga koronavirusi. I ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, mjeku hodhi poshtë lajmet që kanë qarkulluar se duhani bën që njerëzit të kishin më pak shanse se ata që nuk pinin të diagnostikoheshin me Covid-19.
“Kam parë në rrjete sociale, por në mediat serioze nuk e kam vënë re këtë që të thuhet nga profesorë të mëdhenj që duhani zgjidhi covidin. Nëse do të bënin krahasimet ndërmjet humbjeve të jetës nga duhani me ato të Covid brenda një viti, do të shikojmë shifra të frikshme se nëse për një vit statistikat e OBSH janë rreth 2.4 milionë vdekje deri tani, ndërsa përsa i përket duhanit janë 8 milionë. Ne interesohemi shumë për duhanin por në fakt e përdorim që t’i kënaqesh me armikun tënd dhe e ndjejmë veten shumë mirë me armikun që ka, i bie 10 persona në ditë në të gjithë botën që vdesain nga duhani.”, u shpreh ai.
Ai u shpreh se 1 në tre persona në vendin tonë pijnë duhan. Sipas tij, 25 përqind e moshave të reja që pijnë duhan kalojnë infarkt miokardi. “25 përqind e moshave të reja që pijnë duhan bëjnë infarkt miokardi. Kam parë çudira dhe nga eksperienca ime sepse duhani bën spazëm dhe tkurrjen e enëve të gjakut e bën nikotina. Rrit adrenalinën në gjak, hormonet e stresit dhe tkurr enët mirëpo kjo në disa persona genetikisht të predispozuar i kanë më të dobëta. Mbyllen enët koronare, që mund të çojë në dhimbje gjoksi por në infarkt miokardi dhe në aritmi vdekjeprurëse.” /abcnews.al