Nga Michael Laitman, Newsmax
Në epokën e ekspozimit të pakufizuar në media, familjet mbretërore nga Evropa dhe gjetkë në mbarë botën, nuk dështojnë asnjëherë të sigurojnë material për skandale shpërthyese.
Gjatë kohërave të shqetësimit global, dramat e monarkive sigurojnë arratisjen e përsosur për shumë njerëz nga hallet e përditshme, siç e tregon edhe shikueshmëria e këtyre historive.
Akuza e racizmit brenda familjes mbretërore britanike në një intervistë që dha princi Harry dhe gruaja e tij për Oprah Winfrey në televizionin amerikan CBS, është polemika më e fundit që doli në skenë duke lënë në hije monarkitë e tjera në botë.
Përtej detajeve të hollësishme të frenetizmave të tilla mediatike, ia vlen të shqyrtohet edhe roli i rëndësishëm që duhet të huajë familja mbretërore në stabilizimin e shoqërisë. Pavarësisht akuzave të bujshme kundër Pallatit Bakingam ndër vite, në Britaninë e Madhe nuk ka asnjë institucion më të qëndrueshëm sesa monarkia e tij.
Me sa duket, falë gruas karizmatike me flokë të bardha që ka përfaqësuar Kurorën për kaq shumë vite, monarkia qëndron më këmbë. Çdo burrë, grua, djalë dhe vajzë e lidhur me Kurorën Britanike, qoftë në Britani, Kanada, Australi apo Zelandën e Re, ka një konsideratë të veçantë për Mbretëreshën Elizabeth.
Skandalet e familjeve të tjera mbretërore, kanë dalë gjithashtu në media kohët e fundit. Hetimet për korrupsion në pallatet mbretërore në Belgjikë dhe Spanjë, protesta të mëdha në rrugë kundër ligjeve që ndëshkojnë fyerjen e Mbretit të Tajlandës, në Lindjen e Mesme; dhe tani një princ saudit që përballet me akuza serioze për urdhërimin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në Turqi.
Sigurisht, probleme ka çdo familje mbretërore në botë. Mbretërit nuk janë engjëj, dhe ata duhet të japin llogari ndaj publikut të gjerë për gabimet e tyre. Por pavarësisht sesa detaje të hidhura arrin të nxjerrë, gazetaria investigative nuk do ta ndryshojë fytyrën e historisë.
Gazetarët publikojnë skandal pas skandali me synimin e vetëm të ngjitjes në një lartësi ku mund të fitojnë para dhe publicitet. Prandaj nuk ka asnjë përpjekje të sinqertë për të korrigjuar shtrembërimin, por vetëm një synim të thjeshtë për të përfituar nga cirku i ndyrë që ata promovojnë.
Të jesh mbret ose princ është vërtet një detyrë në arenën publike. Ata përshëndetin nxënësit e shkollave, marrin pjesë në asamble dhe ceremoni kombëtare. Veprojnë si një simbol shtetëror i një populli. Ngjashëm me mbretërinë e natyrës sipërore mbretërinë e qiellit, dinastitë e mbretërve në tokë janë një faktor i përhershëm, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm, që ekziston si një fije që lidh periudha të ndryshme kohore dhe të brezave.
Një mbretëri është si një degë materiale që buron nga një rrënjë shpirtërore. Ashtu siç mbizotëron një hierarki në natyrë, një monarki mbretërore mund të sigurojë një formë të përshtatshme qeverisjeje në shoqërinë njerëzore.
Nëse të gjitha vendet evropiane sot do të qeveriseshin nga mbretër në vend të politikanëve, Evropa nuk do të ishte në prag të kolapsit siç është tani. Pavarësisht nga përmbysjet politike midis shteteve dhe brenda vendeve, vetë shtëpitë mbretërore mbeten të lidhura me njëra-tjetrën, duke i ruajtur marrëdhëniet e tyre në një mënyrë të tillë që ato të mos ndikohen nga fërkimet e tjera.
Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e tyre edhe në një botë moderne. Shtëpitë mbretërore formojnë një lloj rrjeti simbolik sigurie përmes lidhjeve midis tyre që personifikojnë ekuilibrin dhe stabilitetin për kontinentin evropian që nderet në një fije të hollë.
Edhe të ashtuquajtur shtetarë e kuptojnë këtë funksion të rëndësishëm të familjes mbretërore. Edhe Francisco Franco, sundimtari i një diktature ushtarake tejet represive në Spanjë, e shpalli Huan Carlos-in mbret, sepse ai e kuptonte se monarkia mund të funksiononte si një forcë stabilizuese.
Ajo që shohim sot në skandalet që po bëhen publike, nuk është rënia e familjeve mbretërore, dhe as fundi i një epoke sikurse po pretendohet. Përkundrazi, ato kanë potencialin e madh për ta ndihmuar Evropën që të jetë më e qëndrueshme. Bota do të përfitonte nëse do të ruheshin të gjitha familjet e mbetura mbretërore, madje edhe ato më të voglat.
Mbretërit dhe mbretëreshat, janë në gjendje që të japin shpresë dhe ofrojnë shembuj se si t’i rezistohet dallgës në rritje të deteve të stuhishme moderne. Unë pres që familjet mbretërore të kenë sukses në këto kohëra sfiduese, dhe të rriten në rëndësinë që kanë ndërsa sundimtarëve të botës aktuale po u bie pesha.
Sepse ndryshe nga udhëheqësit botërorë që sundojnë sot – që janë zgjedhur për vetëm disa vjet dhe nuk e kanë problem që të lënë pas një pirg rrënojash në fund të mandatit të tyre – mbretërit e dinë se që nga dita kur kanë lindur dhe deri në ditën që do të vdesin, ata janë përgjegjës për shtetin e tyre.
Prandaj, ata duhet të shtojnë përpjekjet për t’u kujdesur dhe për t’u lidhur me njerëzit.
Në fund të ditës, ky është misioni i tyre, dhe kjo është ajo për të cilën u krijua hierarkia:për të qenë në shërbim të masave, dhe për të ndihmuar sigurimin e shoqërive të qëndrueshme dhe të forta. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

