Nga Robert Service “The Spectator”
Mbrëmjen e Vitit të Ri 1992, Bashkimi Sovjetik kishte pushuar së ekzistuari, ndërsa Rusia dhe republikat e tjera sovjetike u bënë shtete të pavarura. Fuqitë perëndimore nisën të diskutonin se çfarë të bënin me rendin e ri botëror. Shqetësimi i tyre i menjëhershëm ishte kontrolli i sigurt i armëve bërthamore.
Autoritetet ruse arritën që t’i zbutnin këto shqetësime, dhe nga mesi i viteve 1990 u ra dakord që edhe armët termonukleare që gjendeshin ende në Ukrainë dhe Kazakistan t’i dorëzoheshin Rusisë. Bisedimet për kontrollin e armëve në bashkëpunim me NATO-n vazhduan në mënyrë produktive.
Vetë presidentit Boris Yelstin nuk i pëlqente të fliste për “Perëndimin” si një entitet më vete, dhe punoi për pranimin e vetë Rusisë në komitetin global të kombeve demokratike. Njëherazi, Yelstin iu lut Shteteve të Bashkuara dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndihmë në zbutjen e tranzicionit nga një ekonomi e planifikuar komuniste në kapitalizëm.
Ai hasi disa vështirësi, edhe pse samitet me presidentin Bill Clinton kaluan nën një atmosferë gazmore. Megjithatë, amerikanët ishin të kujdesshëm ndaj dhënies së burimeve të mëdha financiare ministrave dhe bizneseve ruse, të cilët tashmë njiheshin për një korrupsion të shfrenuar.
Vetë Yeltsin u nxit nga opinioni elektoral rus të ndiqte një politikë të jashtme më nacionaliste. Rusët, të motivuar nga ideja se bota ishte bipolare, u tronditën nga ndërhyrja ushtarake e Klintonit në luftërat në ish-Jugosllavi. Bombardimi i kryeqytetit serb Beograd, u pa në Moskë si një konfirmim se Amerika synonte të bëhej hiper-fuqia e vetme në botë.
Yeltsin e kishte humbur besimin e elitave politike dhe të sigurisë edhe para se të tërhiqej vullnetarisht nga presidenca natën e Vitit të Ri 1999. Ai la pas një sërë marrëveshjesh për stabilizimin e marrëdhëniet me NATO-n, por pa një arkitekturë sigurie në shkallë të plotë për kontinentin evropian.
NATO mund dhe duhet të kishte bërë më shumë për të hartuar një kornizë më të qëndrueshme për marrëdhëniet ndërkombëtare. Por është e dyshimtë nëse kjo do ta kishte kënaqur opinionin publik rus. Për më tepër, shtetet ish-komuniste të Evropës Lindore kishin të drejtë të frikësoheshin se kur Rusia të ngrihej sërish, do të synonte t’i dominonte ato, siç kishte bërë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndaj ata ishin të justifikuar në kërkesën për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kjo gjë ngjalli në mënyrë të pashmangshme shumë pakënaqësi në Rusi, vend që po vajtonte humbjen e statusit të superfuqisë. Këto ndjenja ndaheshin nga rusët në çdo nivel të shoqërisë.
Presidenti Vladimir Putin, pasardhësi i Yelstin, e mori drejtimin e vendit në vitin 2000 me premtimin e kufizimit të ambicieve të SHBA-së. Në fillim ai mashtroi presidentin amerikan George Ë Bush dhe kryeministrin britanik Tony Blair. Megjithatë, pas sharmit të tij fshihej një axhendë nacionaliste.
Putin këmbënguli në qeverisjen e Rusisë pa marrë parasysh parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Po ashtu ai mendonte t’i trajtonte vendet fqinje, dhe veçanërisht Ukrainën, si pjesë e zonës së ndikimit rus. Buzëqeshja e tij u zhduk kur Bush dhe Blair u ankuan për shtypjen brutale të Çeçenisë.
Ai u zemërua akoma më shumë në vitin 2004, kur Ukraina bëri përpjekjet e para sporadike për të konsoliduar reformat e saj demokratike. Ndërhyrja ruse përfshiu helmimin me dioksinë të kandidatit presidencial Victor Jushchenko. Politika ukrainase po luhatej midis qasjes pro-ruse dhe reformave pro-perëndimore.
Protestat në rrugë në fillimin e vitit 2014, sollën rrëzimin e presidentit Victor Janukovich dhe rikthimin pushtet të një administrate reformiste. Putin e pa këtë si një dëshmi të ndërhyrjes dashakeqe të Perëndimit në sferën e tij. Në fillim ai pushtoi Krimenë, dhe më pas në shkurt të këtij viti, u përpoq të rrëzonte presidentin Volodymyr Zelensky, dhe të vendoste në Kiev një regjim kukull të kontrolluar nga Kremlini.
A mund të kishte bërë më shumë Perëndimi për të shmangur katastrofën e dekadës së fundit? Ndikimi i tij financiar mbi Rusinë u dobësua në fillim të viteve 2000, kur rritja e çmimeve të gazit dhe naftës e forcoi shumë ekonominë ruse. Sanksionet ekonomike, të paktën ato të vendosura para vitit 2022, shërbyen kryesisht për të nxitur vendosmërinë e Rusisë për t’u bërë e vetë-mjaftueshme në çdo sektor të prodhimit.
Levat diplomatike politike perëndimore, ishin më të forta se ato ekonomike, por fuqitë perëndimore humbën shumë shanse vendimtare. Londra nuk duhet të ishte bërë lavatriçja e parave të pista ruse. Mjerisht, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ishte e ngadaltë në hakmarrjen e saj ndaj operacioneve vrasëse të shërbimeve sekrete ruse në territorin britanik.
Dhe Boris Johnson nuk ka shpjeguar ende arsyen pse zgjodhi në Dhomën e Lordëve djalin e një ish-oficeri të pasur të KGB-së. Udhëheqja e Shteteve të Bashkuara ka qenë po aq e tmerrshme në këtë aspekt.
Presidentit Donald Trump i pëlqente të bisedonte me Putinin si midis 2 të rinjve harrakatë, në vend se të shprehte qartë pikat e mosmarrëveshjes midis 2 vendeve. Në mënyrën e tij, presidenti Joe Biden, bëri po aq keq në vitin 2021, duke e inkurajuar Ukrainën të kërkonte anëtarësimin në NATO pa marrë masat e duhura kundër reagimit të mundshëm negativ të Moskës.
Tërheqja kaotike e amerikanëve nga Afganistani, e përforcoi perceptimin zyrtar në Kremlin se Amerika e kishte humbur vullnetin për të mbrojtur interesat e saj gjeopolitike. Një ashpërsim i marrëdhënieve midis Perëndimit dhe një Rusie të ringjallur, ka qenë gjithmonë i mundshëm.
Por politikanët perëndimorë mund ta kishin moderuar këtë proces. Në fakt as Trump dhe as Biden nuk kanë treguar maturi në sjelljet e tyre me Putinin. Ushtria ruse ka rezultuar të mos jetë nuk e pathyeshme, dhe tani sanksionet po e degradojnë ekonominë ruse. Nga halli ai është afruar me kinezët, që nuk i kanë aspak për zemër interesat kombëtare ruse.
Putin dhe administrata e tij, kanë frikë nga shfaqja në Moskë e demonstratave të njëjta me ato që përjetoi Kievi në vitin 2014. Aparati i tij i sigurisë është i autorizuar të veprojë pa u ndëshkuar. Tani, pas shumë vitesh lëkundje, Perëndimi ka një lloj politikë sistematike ndaj Rusisë, dhe po e furnizon Ukrainën me disa nga pajisjet e mbrojtjes ushtarake që i nevojiten shumë dhe që ukrainasit i meritojnë. Më mirë vonë se kurrë.
/abcnews.al