Gazetarja sportive Hygerta Sako rrëfen eksperiencën e saj në Big Brother VIP Kosova, një rrugëtim që nisi që në ditën e parë dhe përfundoi mes pesë finalistëve më të mirë të spektaklit. Ajo mohon kategorikisht çdo pretendim për favorizim nga produksioni, duke theksuar se autoren e programit e ka takuar për herë të parë vetëm kur mori ftesën për të hyrë në shtëpi.
Sipas Sakos, gjatë qëndrimit në Big Brother ka pasur edhe momente të vështira kur ka menduar të largohej, por produksioni ka qenë korrekt dhe profesional. Madje, siç tregon ajo, ka pasur edhe ditë të gjata kur nuk është thirrur fare në dhomën e rrëfimit.
Një nga momentet më emocionuese për të ishte takimi surprizë me gjyshen, një kujtim që thotë se do ta mbajë gjatë në zemër. Ndërsa debatet me banorë të tjerë, përfshirë Labinotin, ajo i sheh si pjesë të lojës, duke theksuar se natyra e saj e qëndrueshme e ka ndihmuar të mos luhatet në karakter.
Për zërat se mund të ketë pasur telefon brenda shtëpisë, Sako përgjigjet me humor: nëse do ta kishte pasur, do të fliste çdo ditë me vajzën dhe nënën dhe nuk do të kishte arsye të mërzitej.
Sot, pas eksperiencës në reality show, ajo është gati të rikthehet aty ku thotë se e do zemra dhe shpirti në ekranin sportiv, në emisionin “Super Gol”, ndërsa premton se Kampionati Botëror i futbollit në qershor do t’i bëjë sërish bashkë me publikun.


