A është vota e lirë në Shqipëri? Debat në “Bardh a Zi”, Duma: Nuk jemi as në nivelin e Kosovës

schedule21:15 - 1 Qershor, 2022

schedule 21:15 - 1 Qershor, 2022

Vota e lirë ishte në qendër të debatit mbrëmjen e sotme në emisionin “Bardh a Zi” në Abc me gazetarët Ornela Gaçe dhe Erion Kristo. Deputetja demokrate Grida Duma, pavarësisht se i mëshon fuqisë së votës si arma e vetme për të sjellë opozitën në pushtet, e krahason atë me sistemin elektoral në Kosovë. Sipas Dumës, edhe pse Kosova është një shtet relativisht i ri në krahasim me Shqipërinë, ka më tepër siguri për sa i përket votës.

Duma: Sigurisht me votë do fitojë nuk ka diskutim dhe këtu jemi për të diskutuar se si arrijmë deri te vota realisht. Kjo është një betejë e madhe e tranzicionit shqiptar, i cili nuk ka kaluar as në nivelin e qartësisë së votës së Kosovës. Ne jemi përfaqësues të Shqipërisë në forume të larta dhe duhet që herë pas here të jemi mbështetje për Kosovën në vende që ajo nuk njihet, por vetë nuk kemi arritur që të kemi as sigurinë e votës që ka Kosova, një shtet plotësisht i ri. Tranzicioni i gjatë politik shqiptar në 30 vite e ka përkeqësuar raportin e votës me demokracinë dhe raportin e votës me përfaqësimin.

Deputetja u shpreh se vendi duhet të shkojë drejt një sistemi të ri zgjedhor që jep disa mekanizma për të forcuar votën. Sipas saj, është kthyer në një trend normal shqiptar që vota kontraktohet me para, nga presioni dhe nga vendi i punës. Duma shtoi se këtë realitet do ta vuajnë të gjitha palët politike nëse nuk do ndërtohet një sistem bazuar tek politika si karrierë dhe tek politikani që nuk varet nga lista e kryetarëve.

Juristi Adriatik Lapaj, i pranishëm në studio u shpreh se ka një tërësi komponentësh që sjellin leximin jo të drejtë të votës.

Lapaj: Vota është si puna e parasë, paraja e merr vlerën kur ka një institucion që e thyen atë ose e këmben. Në momentin që nuk ekziston ky institucion dhe para është një copë letër. Edhe vota, në momentin që nuk përkthehet në pushtet real që qytetari e percepton se atij që ja ka dhënë ja përkthen në nhë debat politik, në një vendimmarrje, atëherë vota e humbet rëndësinë dhe vlerën e saj. Njerëzit pastaj e shohin si një aspekt material që mund të kthehet dhe fillojnë i vënë çmim. Po u kthye vota në mall tregu mbaroi muhabeti.

Analisti Ilir Kalemaj u shpreh se në Shqipëri nuk të sjell vota në pushtet as të largon nga pushteti.

Kalemaj: Këtë e thonë dy profesorë të Harvardit që kanë botuar dhe një libër për vendet në zhvillim si Shqipëria. Ata thonë që për shkak të deformimit që ka kodi zgjedhor, për shkak të deformimit që pjell pushteti, sjellin deformim vote dhe në fund të ditës në Shqipëri nuk të sjell vota në pushtet.

Por, sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi e kundërshton këtë deklaratë.

Klosi: Unë kam qenë në grevë urie 20 ditë për votën. As në Amerikë, as në Shqipëri nuk ndërron dot vullnetin e shqiptarëve dhe atë çka del me votë. A ka vota që manipulohen në Shqipëri? Procesi zgjedhor gjithmonë e më shumë Shqipërinë e fut në një garë të dyshimtë brenda vetes së saj. Ne në Shqipëri kemi një problem shumë të madh dhe unë këtë e mendoj që është shqetësimi i sistemit zgjedhur. Ne në Shqipëri nuk i kemi zgjedhjet 1 ditë që bëhen zgjidhje për njerëzit. Kemi një proces që të gjithë merren me zgjedhjet dhe një vit para, një vit prapa të gjithë diskutojnë për ato ndërkohë që vjen gara tjetër elektorale./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!