A është Kina gati të pushtojë Tajvanin?

schedule10:07 - 12 Nëntor, 2021

schedule 10:07 - 12 Nëntor, 2021

Nga Alessio Patalano “The Spectator

Këtë javë, komiteti qendror i Partisë Komuniste Kineze do të publikojë një “rezolutë mbi historinë”. Ai do të përmbajë narrativën historike zyrtare të epokës së Xi Jinping. Vetëm dy udhëheqës të PKK kanë botuar një rezolutë të këtij lloji më parë:Mao Zedong dhe Deng Xiaoping.

Rezoluta e Maos e përcaktonte rolin e tij si udhëheqësi i vetëm i Kinës; ajo e Deng, kushtet mbi fokusin ekonomik që duhej të kishte vendi. Po rezoluta e Xi? Nuk janë zbuluar ende detaje, por është pritet që ajo të përforcojë idenë e fatit historik të Kinës, të asaj që Xi e quan “ripërtëritja e madhe e kombit kinez”.

Për Xi, projekti i ripërtëritjes kombëtare, është i lidhur në thelb me ribashkimin me Tajvanin, e vetmja pjesë e republikës së vjetër që nuk u bë komuniste në vitin 1949. Xi e ka quajtur ribashkimin një “detyrë historike të panegociueshme” të partisë, dhe ai e merr shumë seriozisht atë.

Qëllimi i rezolutës nuk është të lavdërojë të kaluarën e PKK, por të vërë theksin tek pashmangshmëria e së ardhmes. Ndërsa perëndimorët mund ta kenë të vështirë ta imagjinojnë një pushtim të afërt të Tajvanit, gjithsesi ngrihet një pyetje emergjente:pa një luftë të hapur, çfarë nivelesh të veprimeve shtrënguese nga ana e Pekinit, janë të gatshme të tolerojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj?

Muajin e kaluar, forcat ajrore kineze, PLAAF, ishin më të angazhuara se kurrë më parë.

Në rrethana normale, është e zakonshme që ushtria kineze të organizojë paradë në ditën kombëtare për të përkujtuar fitoren e Partisë Komuniste Kineze mbi Kuomintang, partinë nacionaliste kineze, më 1 tetor 1949.

Por ky vit ishte ndryshe. Për 5 ditë, PLAAF patrulloi me 150 avionë shumë pranë Tajvanit. Shtimi i operacioneve ajrore në muajin e fundit, tregon se Pekini ka arritur tashmë të vendosë në një prag më të lartë tolerancën ndërkombëtare ndaj presioneve të tij ushtarake.

Inkursionet në hapësirën ajrore të Tajvanit, ndodhin aktualisht thuajse çdo ditë.

Javën e shkuar, brenda 24 orëve, 20 avionë luftarakë kinezë hynë në hapësirën ajrore të Tajvanit. Aktualisht ka një presion në rritje ndaj Uashingtonit për të ripërcaktuar se si do të ishte një përgjigje e duhur ndaj angazhimit të paprecedentë ushtarak të Xi Jinping.

Tre javë më parë, presidenti Joe Biden tha se SHBA do ta mbrojë Tajvanin në rast të një sulmi nga Kina. Kjo deklaratë dukej se ishte një distancim nga pozicioni afatgjatë i “paqartësisë strategjike” të Amerikës në lidhje me politikën e saj të jashtme. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nxitoi të sqaronte se presidenti “nuk po njoftonte asnjë ndryshim në politikën tonë”.

Prandaj mbetet ende e paqartë se çfarë kufiri do të duhet të kapërcejë Kina që të reagojë SHBA dhe aleatët e saj. Por si mund të jetë një sulm i Kinës ndaj Tajvanit? Përveç një sulmi amfib ndaj ishullit, Kina ka në dispozicion një shumëllojshmëri opsionesh.

Pekini mund të përpiqet që ta dobësojë ekonominë tajvaneze, të izolojë Tajvanin në aspektin ushtarak, ose të thyejë vullnetin e qytetarëve të saj për të rezistuar. Skenarët e tjerë të mundshëm përfshijnë stërvitjet me raketa, që do të pengonin shkuarjen e anijeve tregtare në Tajvan, vendosjen e një embargoje të stilit kuban, apo pushtimin e ishujve Pratas dhe Taiping në Detin e Kinës Jugore.

Të gjitha këto do të kishin kosto për Kinën, por duken si tëpranueshme për Pekinin. Më e rëndësishmja:shtimi i aktiviteteve ushtarake të Kinës rreth Tajvanit, po përdoret për qëllime taktike. Gjatë çdo inkursioni ajror, forcat ajrore të Kinës investigojnë mbi sistemet e mbrojtjes së Tajvanit dhe mbledhin informacione të çmuara.

Në marsin e këtij viti, admirali Phil Davidson, kreu i atëhershëm i Komandës së Indo-Paqësorit të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, tha se ka të ngjarë të ketë veprime ushtarake brenda kësaj dekade. Duke dëshmuar përpara Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, ai parashikoi që makineria ushtarake e Kinës mund të jetë e aftë që të synojë bashkimin me forcë brenda 6 viteve të ardhshme.

Nga këndvështrimi i tij, një pushtim nuk do tëishte një përfundim i paramenduar, por së shpejti do të bëhet një opsion politik realist për Xi. Pra nuk ka gjasa të kemi një luftë në të ardhmen e afërt, pasi rreziqet për Kinën do të ishin të larta. Por është më e imagjinueshme që PKK ta bindë popullin tajvanez se është e kotë që të kundërshtojë ribashkimin.

Megjithatë as kjo nuk do të ishte e lehtë. Ndarja politike midis Tajvanit dhe Kinës kontinentale vetëm sa vazhdon që të thellohet. Vitin e kaluar presidentja tajvaneze Tsai Ing-wen u rizgjodh përmes një fitoreje të madhe, pikërisht me një program që hodhi poshtë “parimin e një Kine”.

Gjatë një fjalim muajin e kaluar me rastin e 110 vjetorin e themelimit të Republikës së Kinës, ajo theksoi se si e ardhmja e Tajvanit, duhet të vendoset në përputhje me vullnetin e popullit të saj, dhe se ishulli duhet t’i rezistojë “aneksimit apo cënimit” të sovranitetit të tij. Ndërkohë Xiu zotua në korrikun e këtij viti se do të “shpartallojë”çdo përpjekje për pavarësinë zyrtare të Tajvanit,dhe shtoi se dëshiron që Tajvani të miratojë një formulë “një vend, dy sisteme”.

Por Tsai e ka përmendur përkeqësimin e lirive në Hong Kong si një dëshmi se oferta e Xi “një vend, dy sisteme” është e papranueshme për Tajvanin. Sondazhet tregojnë se publiku tajvanez pajtohet me qasjen e presidentes Tsai.

Sondazhet e rregullta të kryera nga Universiteti Kombëtar Chengchi (NCU), zbulojnë se që nga fillimi i viteve 1990, numri i njerëzve që e cilësojnë veten tajvanezë është rritur në mënyrë të qëndrueshme nga 1/5 në thuajse 2/3 e popullsisë. Anasjelltas, numri i atyre që e konsiderojnë veten kinezë ka rënë nga 25.5 në 2.7 për qind.

Po ashtu ka rënë edhe numri i atyre që e konsiderojnë veten si tajvanezë dhe kinezë njëkohësisht, nga 46.4 për qind në vitin 1992 në 31.4 për qind në qershor të këtij viti. Ndërkohë tajvanezët e shihnin në shumicë SHBA-në në një qasje më të favorshme se sa Kinën kontinentale.

Në Kinë, ribashkimi shihet vetëm si çështje kohe. Në Tajvan jo. Për momentin, strategjia e Kinës duket se është thyerja e vullnetit të Tajvanit për të luftuar, në vend të një pushtimi të drejtpërdrejtë. Pekini ka vendosur që ta izolojë politikisht Tajvanin, duke denoncuar thirrjet për t’u anëtarësuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, dhe duke ushtruar presion të madh ndaj Lituanisë, për shkak të planeve të tij për të lejuar hapjen në Vilnius të një zyre përfaqësie të Tajvanit.

Po çfarë mund të bëhet për t’iu kundërvënë përpjekjeve për ta izoluar më tej Tajvanin? Gjatë administratës Trump, u rrit mbështetja për udhëheqjen dhe axhendën politike të presidentes Tsai. Akti i Taipeit u miratua në marsin e vitit të kaluar, ndërsa SHBA i shtoi shitjet e armëve tek Tajvanit.

Administrata Biden e ka vazhduar këtë qasje. Muajin e kaluar, këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan, tha se SHBA do të flasë hapur kundër veprimeve “thelbësisht destabilizuese” të Kinës, teksa shtoi se Uashingtoni do të përpiqet të parandalojë çdo lloj aksioni ushtarak kundër Tajvanit.

Ai i bëri këto deklarata në momentin kur forcat detare amerikane, britanike dhe japoneze ishin angazhuar në një stërvitje të përbashkët në Detin e Kinës Jugore të mbështetur nga marina holandeze, kanadeze dhe ajo e Zelandës së Re. Pekini me siguri do t`i ketë marrë shënimet e duhura.

 

Shënim:Alessio Patalano, është profesor i luftës dhe strategjive mbi Azinë Lindore në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!