A është e krijuar nga njeriu apo nga AI? Evropa kërkon identifikim për këtë ndërsa lufton dezinformimin

schedule21:22 - 5 Qershor, 2023

schedule 21:22 - 5 Qershor, 2023

LONDËR (AP) – Bashkimi Evropian po u kërkon platformave online si ‘Google’ dhe ‘Meta’ të shtojnë përpjekjet kundër informacionit të rremë duke shtuar nga një notë në tekstet, fotot dhe përmbajtjet e tjera të krijuara nga inteligjenca artificiale, tha një zyrtare e lartë të hënën.

Nënpresidentja e Komisionit të BE-së Vera Jourova tha se aftësia e një gjenerate të re të chatbot-eve të inteligjencës artificiale e njohur ndryshe si AI, për të krijuar përmbajtje komplekse dhe pamje vizuale në sekonda, shton “sfida të reja për luftën kundër dezinformimit”.

Zonja Jourova tha se ajo i kërkoi kompanive Google, Meta, Microsoft, TikTok dhe firmave të tjera të teknologjisë që kanë nënshkruar marrëveshjen vullnetare të bllokut të 27-vendeve për të luftuar dezinformimin që t’i kushtojnë vëmendje përpjekjeve për të trajtuar problemin e inteligjencës artificiale.

Platformat online që kanë integruar inteligjencën artificiale në shërbimet e tyre, si motori i kërkimit Bing i kompanisë Microsoft dhe chatboti Bard i Google-it, duhet të ndërtojnë masa mbrojtëse për të parandaluar “aktorët keqdashës” të gjenerojnë dezinformata, tha zonja Jourova në një konferencë në Bruksel.

Kompanitë që ofrojnë shërbime që kanë potencialin për të përhapur dezinformimin e gjeneruar nga inteligjenca artificiale duhet të përdorin teknologjinë për të “dalluar një përmbajtje të tillë dhe për t’ua etiketuar qartë këtë përdoruesve”, tha ajo.

Zonja Jourova tha se rregulloret e BE-së kanë për qëllim mbrojtjen e fjalës së lirë, por kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale, ” makinat nuk janë ato që duhet të kenë lirinë e fjalës”.

Rritja e shpejtë e inteligjencës artificiale, e cila ka aftësinë të prodhojë tekste, imazhe dhe video të ngjashme me ato të krijuara nga njeriu, ka mahnitur shumë studiues dhe ka alarmuar disa të tjerë lidhur me potencialin e saj për të transformuar shumë aspekte të jetës së përditshme.

Evropa ka marrë një rol udhëheqës në lëvizjen globale për të rregulluar inteligjencën artificiale me projektligjet e saj të AI, por që ka ende nevojë për miratim përfundimtar dhe nuk do të hyjë në fuqi për disa vite.

Zyrtarët në BE, që po përgatisin një grup të veçantë rregullash këtë vit për të mbrojtur njerëzit nga përmbajtjet e dëmshme në internet, janë të shqetësuar se duhet të veprojnë më shpejt për të ecur me një hap me zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Sipas projektligjit të BE-së, angazhimet vullnetare në kodin e dezinformimit do të bëhen së shpejti detyrime ligjore, dhe do t’i detyrojë kompanitë më të mëdha të teknologjisë deri në fund të gushtit të kontrollojnë më mirë platformat e tyre për të mbrojtur përdoruesit nga gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe materiale të tjera të dëmshme.

Zonja Jourova tha megjithatë se kompanitë duhet të fillojnë menjëherë të etiketojnë përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Shumica e këtyre gjigantëve dixhitalë janë nënshkrues tashmë të kodit të BE-së, i cili kërkon që kompanitë të matin punën e tyre në luftën kundër dezinformimit dhe të publikojnë raporte të rregullta mbi përparimin e tyre.

Rrjeti Twitter u largua muajin e kaluar në atë që duket të jetë masa e fundit e zotit Elon Musk për të hequr kufizimet në kompaninë e mediave sociale pasi ai e bleu atë vitin e kaluar.

Zonja Jourova e quajti lëvizjen të gabuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!