Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Ekziston një shprehje e vjetër për raportet britanike “Mjegull në Kanal – Kontinenti është izoluar.’ Mjegulla’ tani është bërë më e plotë dhe ndoshta edhe më e rrezikshme se sa ishte. Vetoja e David Cameron gjatë krizës së Eurozonës i dha qeverisë një dimension të padobishëm dhe të njohur “Britania kundër BE”, ndërsa Europa u përball me momentin e saj më të errët ekonomik që nga Depresioni i Madh.
Ndërkohë që Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy u përpoqën të ndryshoni situatën, kërkesat e Cameron për masat mbrojtëse të Londrës dukeshin të përqendruara tek vetja. Francezët u kundërpërgjigjën. Sarkozy tha për Le Monde : “Tani janë qartazi dy Europa”. Nuk ka kod atje: ka BE dhe Britani.
Merkel u tregua më e përmbajtur duke i thënë Bundestagut se është “përtej dyshimit se Britania do të mbetet një partner i rëndësishëm në BE”. Për sa kohë që euro mbijeton, kjo krizë do të kalojë siç ka ndodhur në të kaluarën, raporton abcnews.al.
Ajo që Cameron kërkoi nuk ishte as e paarsyeshme dhe as e papritur për ata që e dinë, vetëm se ai e kërkoi në mënyrë jodiplomatike dhe në momentin e fundit. Pasoja e vërtetë nga këto ngjarje është se ato riafirmojnë një histori të dëmshme dhe të shtrembëruar të Britanisë dhe Europës. Por ka një histori tjetër për të treguar.
Le të ripërsërisim fillimisht narrativën e lodhur të Britanisë dhe Europës. Nga pretendentët për titullin “Babai i Europës”, një ekonomist shtatshkurtër, planifikues dhe burrë shteti francez, Jean Monnet (1888-1979). Ai hodhi gurin e themelit të BE-së pas Luftës së Dytë Botërore dhe preferonte që në fillim britanikët.
Së bashku me Charles de Gaulle, Monnet udhëtoi për në Londër në mes të dramës së qershorit 1940. Ai kishte me vete një propozim për ‘bashkimin” e Britanisë dhe Francës, por plani dështoi me nënshtrimin e Petain ndaj nazistëve.
Parandalimi i nazistëve të ardhshëm ishte pjesërisht stimuli për Monnet për të shkruar Planin Schuman të vitit 1950. I emëruar sipas Robert Schuman, në atë kohë ministri i jashtëm francez, ai bëri thirrje për një dërgimin e qymyrit dhe çelikut në Europën Perëndimore për të neutralizuar armiqësitë historike.
Monnet siguroi që britanikët të merrnin një ftesë për t’u bashkuar, por ata u përbuzën. Një nga bashkatdhetarët e Monnet kujtoi thënien britanike: ‘Ju në Europë jeni mundur, jeni pushtuar; kjo nuk është situata jonë.’
Kur gjashtë vendet e Planit Schuman – Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda shënuan suksesin e tyre me krijimin e Komunitetit Ekonomik Europian (EEC) në 1957, pozicioni i Britanisë dukej si jo i favorshëm. Britanikët hodhën poshtë të gjitha mundësitë deri në vitin 1957.
Rab Butler, ish-Kancelar i Thesarit, madje i përshkroi planet e tyre si ‘gërmime arkeologjike’. Megjithatë, në vitin 1961, qeveria e Harold Macmillan vendosi që Britania nuk kishte alternativë tjetër veçse të kërkonte anëtarësimin.
Imperativi ekonomik ishte i fortë – Britania kishte nevojë për një sens të ri qëllimi dhe rritje ekonomike por gjithashtu ishte një strategji e vjetër britanike: asnjë komb nuk mund të lejohej të dominonte kontinentin.
Macmillan paralajmëroi privatisht për rrezikun që, nëpërmjet EEC, gjermanët do të ringjallnin fuqinë e tyre: Megjithatë, nuk ishte një gjerman që dominoi Europën ndërsa Britania u përpoq të hynte në EEC, por një francez.
Gjenerali de Gaulle bllokoi dy aplikimet e Britanisë për t’u bashkuar me Komunitetin. Duke i thënë ‘jo’ të parit në janar 1963, ai deklaroi se Britania ishte e veçuar nga ‘zakonet dhe traditat’. Ai e ruajti pozicionin e tij gjatë gjithë viteve 1960. Në të vërtetë, një arsye që Britania mund të hynte në EEC më 1 janar 1973 ishte se de Gaulle kishte lënë detyrën në vitin 1969.
Më në fund Britania ishte pjesë e Europës, ose kështu shpresonte qeveria e Eduard Heath. Horizontet e ringjalljes ekonomike dhe rilindjes politike u përhapën por fatkeqësisht jo për Heathin.
Një pjesë e krizës së identitetit të vendit në atë kohë erdhi nga vendimi i Harold Wilson për të vendosur për anëtarësimin në EEC në një referendum historik 18 muaj pas hyrjes; votat pro me 6 qershor 1975 nuk i dhanë fund debatit.
Kjo histori e ambivalencës britanike ndaj Europës është e rrënjosur mirë në identitetin kombëtar dhe gjithashtu në ato të shteteve anëtare të BE-së.
Ashtu si udhëheqësit britanikë para tij, Cameron është akuzuar se ka kërkuar diçka, ndërsa nuk ka ofruar asgjë në këmbim. Siç tha një ish-deputet belg: ‘Ose je në tavolinë ose je në menu.’
Britanikët kanë dashur gjithmonë të jenë në tavolinë. Në 1897, kryeministri Lord Salisbury besonte se ‘Federata e Europës është e vetmja shpresë që kemi’ për të shmangur luftën europiane. Kjo nuk ka ndryshuar.
Në të vërtetë, kjo është arsyeja pse qeveria e parë laburiste e pas vitit 1945 ndoqi unitetin anglo-europian, përpara se Lufta e Ftohtë t’i jepte përparësi bashkëpunimit anglo-amerikan. Përgjatë viteve 1950 dhe 1960, politika europiane e Britanisë, ndonëse e shkurtër për mbinacionalitetin ishte e qëllimshme.
Pas hyrjes, Britania veproi si shtet anëtar për të çuar përpara KE-në dhe zbatoi me rigorozitet legjislacionin europian. Deri më sot, Britania funksionon si një komb, interesat më të mëdha të të cilit janë europiane. Shifrat tregtare, lidhjet financiare, politika ndërkombëtare dhe, deri në një masë, ligji tregojnë të gjitha këtë.
Megjithatë, vendi nuk është në paqe me këtë realitet.
Në vitin 1949, kur diplomatët britanikë debatuan për të ardhmen në Europë, një ministër tha: “Ndjenja anti-europiane është një gjë e zakonshme e britanikëve. Të gjithë kanë të afërm në SHBA dhe Kanada. Shumica nuk kanë njeri në Europë përveç viktimave të dy luftërave.
Gjashtëdhjetë vjet më vonë, kjo ndjenjë mund të mos jetë më plotësisht e vërtetë por mbetet e fuqishme dhe mund të jetë rivlerësuar nga diplomacia e dështuar.
/abcnews.al