A është aq e sigurt sa duket rizgjedhja e presidentit Emmanuel Macron?

schedule09:30 - 16 Shkurt, 2022

schedule 09:30 - 16 Shkurt, 2022

Nga Jonathan Miller “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në shkurtin e vitit 1995, Jacques Chirac ishte vetëm 12 për qind në sondazhe. Dy muaj më vonë ai u zgjodh president. Dhe 2 muaj është edhe tani, koha që ka mbetur para raundit të parë të votimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Për momentin, avantazhi i presidentit aktual Emmanuel Macron duket i padiskutueshëm.

“The Economist”, thotë se shanset e tij për t’u rizgjedhur në detyrë janë mbi 80 për qind. Por sa të paparashikueshme mund të jenë këto zgjedhje? Pas disa javësh inercie relative, ka shenja se elektorati francez tradicionalisht i paqëndrueshëm, ka filluar të zhurmojë. Fundjavën e kaluar, fushatat elektorale nisën të zhvillohen me një ritëm më të lartë, dhe jo domosdoshmërisht në avantazhin e presidentit aktual. Në një dukuri që unë mendoj se është e paprecedentë në Francë, një “autokolonë e lirisë”u nis për në Paris, duke valëvitur flamujt kanadezë krahas flamujve të tyre, për të bllokuar kryeqytetin, ashtu siç bënë kamionistët në kryeqytetin kanadez Otava.

Kur mbërritën të shtunën në mëngjes, panë se qyteti ishte mbyllur tashmë nga policia.

Mjetet e blinduara u vendosën në Champs-Élysées. Portat e qytetit u mbyllën nga policët e armatosur me automatikë. Protestuesit që arritën të hynin në qytet, u arrestuan për demonstrim të paligjshëm.

Mbi ta u hodh gaz lotsjellës pa masë, duke detyruar edhe klientët e restoranteve përreth të largoheshin me vrap, bashkë me fëmijët e tyre. Çdo minutë e atij reagimi u filmua dhe u postua në rrjetet sociale, dhe nuk ishte diçka e bukur. I ngjante më shumë Bjellorusisë sesa Francës.

Vetë presidenti nuk u ndje në lidhje më këtë situatë. Ai ka qenë i zënë me çështjet ndërkombëtare, duke biseduar me Vladimir Putinin. Ky i fundit tha se retorika e Macron ishte si një torturë me vete. Shumë votues francezë mendojnë po njëlloj. Fushata elektorale ka vazhduar këto ditë pa të.

Në Paris, Valérie Pécresse, kandidatja e qendrës së djathtë Les Républicans (Republikanët), mbajti të dielën pasdite një tubim në sallën e madhe “Zenith”. Edhe mbështetësit e saj u detyruan ta pranonin se takimi nuk shkoi dhe aq mirë. Ajo mbajti një fjalim të zbehtë, duke u përpjekur të forconte mbështetjen e të djathtave, me një qëndrim më të ashpër ndaj emigrantëve dhe çështjeve të sigurisë.

Por u duk sikur edhe ajo vetë nuk po e besonte atë që po thoshte. Thuhet se Pécresse është duke u konsultuar me ish-presidentin socialist François Holland. Dhe kjo e ka bërë më të madhe mungesën e koherencës që bart mesazhi ië saj. Deri tani sondazhet nuk i japin shumë shpresë.

Ajo renditet vazhdimisht në nivelin rreth 15 për qind, kokë më kokë me Marine Le Pen dhe Eric Zemmour. Pra ajo nuk e ka aspak të garantuar biletën për në raundin e dytë. Ndonëse nëse arrin në të dytin, edhe mund të fitojë, pasi pavarësisht gabimeve të saj, shumë francezë mund ta preferojnë atë përballë mundësisë së 5 viteve të tjera me Macron-in si president.

Le Pen pati një tjetër fundjavë të tmerrshme. Gjithnjë e më shumë mbështetës dhe aleatë të saj po dezertojnë duke shkuar pas Zemmour. Senatori i vetëm i partisë së saj, Rassemblement National (Tubimi Kombëtar), Stephane Ravier, është i fundit në radhën e tradhtarëve.

Le Pen është në rastin më të mirë statike në sondazhe. Dhe është thuajse e sigurt, se kjo do të jetë fushata e saj presidenciale e fundit. Anne Hidalgo, kandidatja e kuqe-gjelbër e Partisë Socialiste dikur të fuqishme, është shndërruar në një siklet të madh për socialistët, pasi renditet nën 2 për qind të votave në disa sondazhe private.

Majtisti i vetëm me një mbështetje 2-shifrore është Jean-Luc Mélenchon i të majtës radikale. Fundjavën që shkoi, ai tërhoqi një turmë të madhe në Montpellier, edhe pse askush nuk pret realisht që ai të mbërrijë në raundin e dytë. Megjithatë, ekziston një ndjenjë e dukshme paniku në kampin e Macron.

Lufta në Afrikë po kthehet në një katastrofë, shumë njerëz janë të mërzitur me imponimin e “pasaportave të vaksinimit”, ndërsa misioni i tij i pavarur në Moskë ishte një turp më vete. Macron po bën premtime për shpenzime të reja në të gjithë vendin. Ai mbështet ende nga shumica e mediave franceze dhe ndërkombëtare.

Por edhe në rrethin e tij të ngushtë, ka shqetësime se ai po e tepron me politikat e tij dorëlëshuara. Për më tepër, ndikimi i tij tek media tradicionale, është zbehur jo pak nga ndikimi negativ që kanë mediat sociale, që janë në përgjithësi armiqësore ndaj tij.

I vetmi kandidat që duket më i fortë në 8 javët e fundit të fushatës është Zemmour, duke vazhduar të tërheqë rreth vetes të larguarit nga kampi i Le Pen dhe Pécresse, duke u stabilizuar në sondazhe, dhe duke tërhequr ende turma shumë entuziaste në takimet e tij.

Fushata e Zemmour ishte e dobët në sondazhet kryera në fundin e dhjetorit dhe gjatë janarit. Por tani po rritet sërish. I pazakontë është fakti se në prag të zgjedhjeve vetëm tre kandidatë – Macron, Pécresse dhe Hidalgo – janë kualifikuar për të qenë në fletët e votimit, pasi çdo kandidat kërkon një deklaratë publike të sponsorizimit nga disa zyrtarë të zgjedhur.

Dhe kjo nuk është e lehtë të arrihet. Shumë kryetarë bashkish, thonë se kanë frikë nga sponsorizimi i kandidatëve të pa miratuar nga hierarkitë politike lokale, të cilët kontrollojnë edhe fluksin e subvencioneve, pa të cilat qeveria lokale e ka të pamundur të funksionojë.

“Nëse sponsorizoj Eric Zemmour, do të mbetem pa fonde”- thotë një kryebashkiak, duke drejtuar gishtin e madh në drejtim të Tuluzës, ku Partia Socialiste kontrollon qeverinë rajonale (dhe të gjitha paratë). Le Pen, Zemmour dhe Mélenchon, nuk kanë marrë ende sponsorizimet e nevojshme për t’u kualifikuar si kandidatë.

Diçka do të duhet të ndodhë. Nëse kandidatët më të njohur eliminohen paraprakisht, demokracia franceze do të duket si ajo iraniane. Pyetja që mund të mbetet gjithsesi në fund, është një pyetje e përjetshme me të cilën përballen votuesit francezë:Cilin kandidat e përbuzin më pak?

Kjo është ende në favorin e Macron, pasi neveria ndaj tij është të paktën e ditur. Por një tjetër javë e keqe, dy lajme të këqija për presidentin, apo një tjetër poshtërim në skenën botërore, dhe situata mund të fillojë të ndryshojë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!