Analisti Mentor Nazarko thotë se mbetet për t’u parë nëse protestat, siç ka paralajmëruar ish kryeministri Sali Berisha që mund të zhvillohen, do ta mbrojnë atë nga drejtësia, në lidhje me akuzat ndaj tij për korrupsion pasiv dhe larje parash, për privatizimin e ish kompleksit sportiv, “Partizani”.
Në një intervistë për ABC News, Nazarko u shpreh se Berisha do të provojë deri në fund.
Sipas Nazarkos, Berisha kërkon që të paktën, të mos shkojë si humbës përballë togave të zeza, dhe i braktisur.
“Do ta shpëtonin ose jo zotin Berisha, kjo është për t’u parë. Por që do të provojë deri në fund, nëse nuk do ta shpëtojnë, minimumi, ai nuk do që të shkojë si një humbës, si një i braktisur, përballë togave të zeza. Maksimumi është që do ta pengojnë veprimin e organeve të drejtësisë, dhe minimumi është që ai të tregojë idenë se përballë togave të zeza gëzonte të gjithë mbështetjen e asaj që është elektorati i vet, fansat e vet, njerëzit që nuk do ta braktisin atë në një moment të vështirë si ky. Berisha po bën një betejë edhe brenda asaj pjese të partisë së tij, që ta karakterizojë veprimin juridik në dëm të tij dhe dhëndrit të tij, si një diçka me frymëzim politik, me regji politike, apo edhe me ekzekutim politik.
Kjo është pjesë e narrativës që po krijohet prej tij dhe mbrojtjes së tij juridike dhe politike. Në këtë narrativë, veprimi apo vendimi që do të marrë Këshilli Kombëtar i Rithemelimit është i rëndësishëm. A do ta shndërrojnë ata çështjen Berisha në çështje politike dhe mbi bazë të së cilës do të krijonin aksion politik, aksion partiak. Kjo mbetet për t’u parë. Do duhet të dimë cilat janë numrat brenda Këshillit Kombëtar. Nuk është e qartë.
Në fillim, në veprimet e para, është dukur që ai nuk ka një mbështetje të madhe siç mund të pritej. Për këtë arsye, duket se ai po fton figurat e vjetra, si Jozefina Topalli, për të krijuar një narrativë të re, kjo është një nga paradoksët e mëdhenj të mbrojtjes së tij, por dhe jetës së tij politike, Berisha qenka zgjedhur si mbrojtjës i pronarëve, ish pronarëve, hero i të djathtës. Kjo është një nga paradokset më të mëdha”, theksoi ai./abcnews.al