Avokatët e Harry Maguire nuk kanë mundur ta shtyjnë gjyqin kundër klientit të tyre ditën e sotme. Mbi kapitenin e Manchester United rëndon akuza e ushtrimit të dhunës ndaj forcave të rendit, si dhe tentativa për ryshfet, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ajo e sulmit.
Trupi gjykues nuk e ka marrë parasysh kërkesën e avokatëve, që sipas medieve në Greqi janë shprehur se nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për të ndërtuar mbrojtjen e kësaj çështjeje. Akuzat e çështjes u bënë të ditura vetëm një ditë më parë.
Pavarësisht kësaj gjyqi ka vijuar dhe në sallë ka qenë edhe babai i mbrojtësit, Alan. Pretendimet e anglezit janë se dy shqiptarë kanë sulmuar motrën e tij me një mjet të mprehtë dhe ajo është zbehur, madje ka humbur vetëdijen. Oficeri që ka qenë në vendngjarje është shprehur se nuk e ka vënë re dëmtimin e motrës së anglezit.
Pas sherrit i është kërkuar shoferit të fugonit t’i çonte në spital. Ai ka menduar ndryshe dhe i është drejtuar komisariatit. Kjo është ajo që shkruan gazzetta.gr, ndërkohë që prokurori para gjykatës ka zbuluar edhe fjalët me të cilat kapiteni i United u është drejtuar oficerëve të policisë në komisariat.
“A e dini kush jam unë? Jam kapiteni i Manchester United. Jam shumë i pasur, mund t’ju jap para. Do t’u jap para, ju lutem na lini të shkojmë”, shkruhet në artikullin e gazetës greke. Më tej thuhet se një oficer është munduar të qetësojë futbollistin dhe miqtë e tij, por ka marrë një grusht nga njëri prej të akuzuarve. Jo vetëm kaq, por raportohet se dy prej tre tentuan të largoheshin. /abcnews.al