A duhet të vaksinohen personat alergjikë? Zoto: Virozat rëndojnë simptomat e alergjisë, si t’i dalloni

schedule09:11 - 28 Tetor, 2021

schedule 09:11 - 28 Tetor, 2021

Maria Zoto, mjeke alergologe në Spitalin Hygeia, ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin e mëngjesit në ABC, ku foli për alergjitë dhe virozat e stinës. Doktoresha shpjegoi se shkaqet më të zakonshme që shkaktojnë alergji janë lagështia dhe pluhurat ndërsa shtoi se më të prekurit janë fëmijët.

Është periudha e ndryshimit të temperaturave dhe shtimit të lagështirës, të cilat ndikojnë në rëndimet e alergjisë. Lagështia në ajër dhe shtëpi favorizon shtimin e mykut, pluhurat që shtohen shumë në ambiente të mbyllura dhe me lagështirë. Virozat vijnë prej ndryshimit të temperaturave dhe grumbullimet favorizojnë shpërndarjen.

Virozat kanë simptoma për pak ditë, alergjia duket se vazhdon për një kohë të gjatë. Zakonisht, virozat kanë simptoma si dhimbjen e trupit, temperaturë, djegie fyti ndërkohë që alergjia ka rrufë, kollë dhe që zgjasin në kohë dhe përsëritën herë pas here. “, shpjegoi mjekja duke shtuar se virozat mund të rëndojnë simptomat e alergjisë.

“Shfaqet më së shumti në fëmijëri dhe moshat e reja. Nëse e kemi tendencë në familje mund të ndodhë që të kemi teshtitje, bllokohen hundët. Këto janë shenjat e para të alergjisë, pastaj më të avancuara janë kolla, vështirësitë në frymëmarrje. Rreth gjysma e tyre që kanë rrufë dhe alergji mund të bëjnë astmë alergjike. 80 përqind e vizitave që shoh janë rëndime të astmës, që në fakt te fëmijët, favorizohen shumë këto rëndime nga virozat.”, tha Zoto.

Përsa i përket vaksinës, mjekja tha se: “Alergjitë e zakonshme nuk janë shkak për të mos e bërë vaksinën. Ka dhe raste specifike por çdo rast duhet trajtuar me alergologun. Janë sigurisht disa raste specifike kryesisht që kanë reaksione të mëparshme nga vaksina apo medikamente të ndryshme, atëherë mendohet se nuk është faji i medikamentit por i konservantët. Këto janë të rralla dhe janë duke u studiuar.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!