A duhet të përgjojë policia qytetarët pa lejen e prokurorisë? Vendos Gjykata Kushtetuese

schedule16:00 - 5 Korrik, 2021

schedule 16:00 - 5 Korrik, 2021

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar nenin 131 të ligjit për policinë e shtetit që i jepte atribut vetes pa asnjë standard për të bërë vëzhgime masive të qytetarëve pa lejen e prokurorisë dhe të gjykatës.

Ligjin e miratuar nga parlamenti, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit e çuan në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi ditën e sotme. Kjo do të thotë se policia nuk mund të kryejë përgjime të qytetarëve pa marrë më parë lejen e prokurorisë ose gjykatës.

Në seancën e zhvilluar në datë 1 korrik përfaqësuesit e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese argumentuan se ndryshimet u miratuan në funksion të parandalimit të veprave penale, por Kushtetuesja u shpreh qartë sot kur theksoi se “ligji vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik”.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesave dhe rrëzimin e nenit që u ndryshua në ligjin për policinë e shtetit. Miratimi i ligjit u shoqërua me debate të forta dhe akuza nga opozita, ndërsa tashmë është shfuqizuar.

VENDIMI I PLOTE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:

– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues  “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

  1. Pranimin e kërkesave.
  2. Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.
  3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!