Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

A do të përfundojë në burg Donald Trump?

schedule13:29 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 13:29 - 9 Dhjetor, 2020

Nga Henry Goodwin, The London Economic

Edhe pse mbetet sfidues, dhe thotë se do të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të muajit të kaluar, se do ta pengojë Joe Biden që ta zëvendësojë atë në Shtëpinë e Bardhë, të gjitha shenjat janë se Donald Trump po përgatitet për jetën e tij pas presidencës.

Ndërsa shumica pret që veprimi i ardhshëm i Trump në politikë, të jetë ai i një republikani të establishmentit, apo ndoshta sërish si një kandidat në presidencialet e vitit 2024, disa analistë kanë sugjeruar që ai mund ta shkëmbejë Zyrën Ovale me një mjedis shumë më pak joshës:një qeli burgu.

Aktualisht ndaj Trump janë në zhvillim e sipër më shumë se një duzinë hetimesh dhe padish civile. Presidenti në ikje ka një mal me borxhe, dhe sipas një raporti të fundit, ai duhet të paguajë së afërmi më shumë se 300 milion dollarë kredi, me pjesën më të madhe të shumës që ia ka borxh bankave të huaja, siç është gjermania Deutsche Bank.

Dhe perandoria e gjerë e pasurive të patundshme të Trump, mund të mos jetë e mjaftueshme për të rikthyer asnjë prej atyre borxheve. Një analizë e fundit në “The Washington Post”, sugjeron se shumë hotele dhe resorte në pronësi të Trump kanë falimentuar për shkak të  pandemisë dhe pasojat polarizimit të madh që ai ka shkaktuar në politikën amerikane.

Siç u shpreh për “The New Yorker” Timothy Snyder, profesor historie në Universitetin e Jeilit:”Është zyra e presidencës, që e mban atë larg nga burgut dhe varfërisë”.

Vetë Trump thuhet se është i shqetësuar mbi mundësinë, që hetimet dhe debitorët t’i qepen nga pas kur ai largohet nga Uashingtoni muajin e ardhshëm. Aq sa thuhet se ai ka diskutuar “paraprakisht” faljen e 3 fëmijëve të tij të mëdhenj, dhe potencialisht edhe të vetes.

Por ai nuk do të ishte presidenti i parë, që do të përdorte fuqinë e faljes. Gerald Ford, e fali paraardhësin e tij Richard Nixon në vitin 1974, pas shpërthimit të skandalit Watergate. Por ekspertët e ligjit besojnë se aftësia e Trumpit për të mbrojtur veten dhe familjen e tij, është shumë e kufizuar.

Faljet zbatohen vetëm për krimet federale, dhe nuk ndikojnë tek ligjet e shteteve të veçanta. Një ndër hetimet më të spikatura ndaj akteve të Trump, po kryhet nga Distrikti Jugor i Nju Jorkut, duke e lënë presidentin në një pozitë delikate.

Dhe ky hetim duket veçanërisht serioz. Ai fokusohet në ndjekjen penale të ish-avokatit të Trump, Michael Cohen, i cili u dënua për mashtrim ndaj Kongresit, dhe për krime të ndryshme financiare – përfshirë një pagesë të paligjshme parash për yllin e pornografisë Stormy Daniels, me të cilin Trump dyshohet se ka pasur dikur një lidhje.

Qeveria pretendoi se Cohen nuk veproi i vetëm – se ai u ndihmua si një bashkë-konspirator i pa diktuar i njohur si “Individi-1” që drejtoi “një fushatë përfundimisht të suksesshme për presidentin e Shteteve të Bashkuara”. Sa i përket mundësisë së faljes së vetes, juristët janë të ndarë.

Trump deklaroi në vitin 2018 – në kulmin e hetimit të këshilltarit special mbi lidhjet e tij të dyshuara me Rusinë – se ai kishte “të drejtën absolute për të falur vetën”, duke cituar “studiues të shumtë të jurisprudencës”. Por J.Michael Luttig një ish-gjykatës i Gjykatës së Apelit në SHBA-së shkroi këtë javë se “ata studiues gabojnë, dhe sipas Kushtetutës presidenti nuk ka të drejtë që të falë veten”.

Laurence Tribe, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Harvardit, i tha “The Guardian” se vetë ideja e vetë-faljes “bie përpara supozimit të dakordësuar botërisht, se fuqia e faljes mund të përdoret si një licencë për të kryer krime në të ardhmen”.

Ai shtoi:“Problemi themelor këtu është se nëse një president do të ishte në gjendje të falte veten, ai mund të bënte krime pa u ndëshkuar gjatë gjithë presidencës së tij. Ai mund të plaçkisë Thesarin e Shtetit, të korruptojë kreu e drejtësisë, apo që të qëllojë dikë për vdekje në Fifth Avenue, duke e ditur se nuk mund të dënohej asnjëherë”.

Për sa i përket mundësisë që Biden “të sillet si Ford” dhe të falë Trumpin, kjo gjë është tepër e vështirë që të ndodhë, po të kihet parasysh armiqësia midis dy burrave. Ata nuk kanë shkëmbyer ende as një telefonatë që nga koha e zgjedhjeve, dhe thuhet se Trump po mendon të bojkotojë inaugurimin në detyrë të pasardhësit të tij, si dhe të mbajë një tubim paralel në të njëjtën kohë.

Pavarësisht të gjithave, Trump është i vendosur të ketë një jetë post-presidenciale si askush tjetër. Koha do të tregojë, nëse ai do të “ndërrojë” kostumin apo kapelen e tij të kuqe me logon MAGA (Make America Great Again) për një xhimsuit portokalli. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!