A do të ndërpritet energjia elektrike pas orës 10 të darkës? Balluku: Nesër prezantohet paketa e re, duhet të ndërmarrim masa drastike

schedule13:03 - 7 Shtator, 2022

schedule 13:03 - 7 Shtator, 2022

Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë njëkohësisht  dhe zv/kryeministre, Belinda Balluku,  tha për mediat se nesër qeveria do të prezantojë paketën e re për energjinë që do të aplikohet nga 1 tetori.

E pyetur në lidhje me deklaratën që Rama dha disa ditë më parë për ndërprerjeje të energjisë elektrike pas orës 22:00, Balluku sqaroi se qeveria nuk ka në plan të ndërpresë energjinë elektrike pas orës 22:00.

Ajo tha se po shqyrtohet plani që pas orës 22:00 të darkës të ndërpritet ndriçimi publik, ashtu sikur se Gjemani dhe disa vende të BE-së kanë nisur të aplikojnë.

“Pas orës 22:00 kërkohet ndërprerja e ndriçimit publik. Gjermania e ka aplikuar këtë dhe do të thosha që aplikimi i ndriçimit publik, i njësive tregtare dhe gjithçkaje tjetër ndodh nga ora 16:00 deri në orën 22:00. Vetëm ai interval lejohet që të ketë drita të ndezura, por flasim gjithmonë për ambientet publike. Pas atij momenti fiken dritat deri në ditë tjetër, në orën 16:00.
E ka nisur Gjermania, po e aplikojnë edhe shtete të tjera. Është pjesë e paketës së kursimit të energjisë. Ne nesër së bashku me kryeministrin do të bëjmë prezantimin e paketës për energjinë për sa i përket edhe fashës 800 kw/h që do të fillojë aplikimi nga 1 tetori, edhe disa masa të tjera drastike që ne do duhet të ndërmarrim në vazhdim.
Disa janë marrë si praktikat më të mira nga shtetet e tjera evropiane, disa janë kostumizuar me kërkesën e vendit tonë. nesër në orën 09:00 do prezantojmë paketën e krizës energjitike.

Më 1 tetor faturimi i energjisë elektrike nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë, si aktualisht me 9.5 lekë për kilovat. Këtë dimër, faturimi do të bëhet me fasha, kush shpenzon mbi 800 kilovat do të paguajë më shtrenjtë.

Nën këtë vlerë do paguhet 9.5 lekë/kilovat ora.

1 muaj larg faturimit me fasha, ende nuk është caktuar se cili do të jetë çmimi i ri për familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat që qeveria i konsideron familje të pasura.

/abcnews.al/