Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

A do të mundësojnë vaksinat rinisjen e udhëtimeve të pakufizuara ndërkombëtare?

schedule12:09 - 6 Prill, 2021

schedule 12:09 - 6 Prill, 2021

Bloomberg

Pas më shumë se 1 vit qëndrimi në shtëpi, njerëzit dëshirojnë të udhëtojnë sërish jashtë vendit. Linjat ajrore nuk do të donin asgjë tjetër, përveçse të shihnin hapjen e kufijve. Ndërsa industria mbështetet tek masat e vazhdueshme mbrojtëse si mbajtja e maskave, distancimi fizik dhe masa të tjera të sigurisë, ajo po shpreson që vaksinat të lehtësojnë disi masat kufizuese të testimit dhe karantinës.

Në SHBA, industria e linjave ajrore i ka bërë thirrje administratës së presidenti Joe Biden për të përditësuar udhëzimet e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) për t’i përjashtuar udhëtarët ndërkombëtarë të vaksinuar, nga kërkesat aktuale të testimit për Covid-19. Brooke Sutherland e “Bloomberg” bisedoi mbi këtë çështje me Sam Fazeli, analist i industrisë farmaceutike për “Bloomberg Intelligence”.

A është e sigurt hapja e kufijve nëse vaksinohet një përqindje e caktuar e popullsisë lokale, sidomos të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike?

Synimi i vaksinimit është rikthimi i botës në një vend sa më normal që të jetë e mundur.

Por në këtë rrugë ka shumë të panjohura. Vaksinat nuk janë 100 për qind efektive kundër infeksioneve. Ne nuk duhet të kujdesemi dhe aq shumë nëse koronavirusi aktual shndërrohet në një virus që i prek njerëzit vazhdimisht si gripi, për sa kohë që vaksinat parandalojnë ndonjë simptomë serioze të kësaj sëmundje.

Por ne duhet ta bëjmë këtë ngadalë për të qenë të sigurt se nuk po ecim symbyllur drejt një katastrofë të re. Është ende shumë herët për të shpallur fitoren ndaj pandemisë bazuar vetëm tek numrat e shtrimeve në spital apo vdekjeve. Mos harroni, virusin e kemi identifikuar vetëm pak më shumë se një vit më parë.

Ka shumë gjëra që ende nuk i dimë mbi këtë virus dhe mbi mënyrën se si ai ndërvepron me sistemin tonë imunitar. Për shembull, pak njerëz menduan se variantet e Covid-19 do të zhvilloheshin aq shpejt sa ka ndodhur në fakt.

Tashmë virusi ka evoluar në një pikë të atillë që është bërë më i transmetueshëm dhe potencialisht më vdekjeprurës, dhe ndoshta i aftë të shmangë një pjesë të imunitetit që na ofrojnë tani vaksinat anti-Covid. Ne duam që normat e infeksioneve të bien ndjeshëm përpara se të rinisim masivisht udhëtimet ndërkombëtare, në mënyrë që të mos i japim virusit mundësinë të bëhet edhe më i vështirë për t’u menaxhuar.

Të dhënat nga një studim i CDC  javën e kaluar treguan se dy doza të vaksinave të Pfizer-BioNTech dhe Moderna, sigurojnë deri në 90 për qind mbrojtje ndaj infeksionit,ndaj mund të ndihmojnë në uljen e përhapjes së sëmundjes. A i ndryshojnë llogaritë të dhëna të tilla?

Ky është vërtetë një lajm i shkëlqyer, që mund të ndryshojë planet e industrisë së transportit. Kjo është ajo që duam të gjithë. Ne kemi parë të dhëna të ngjashme nga Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar, me një efikasitet në jetën reale të vaksinës AstraZeneca, që është afërsisht e njëjtë me atë të Pfizer-BioNTech.

Por mos harroni, e gjithë kjo është duke u matur shumë shpejt pas marrjes së dozës së dytë të vaksinave, kur përgjigja imune është në maksimum. Me kalimin e muajve, imuniteti që ofrojnë vaksina kundër prekjes por edhe përhapjes së virusit mund të zbehet.

Ne nuk e dimë se sa shpejt do të ndodhte kjo, dhe nëse variantet do të kenë ndikim tek kjo rënie e imunitetit. Një studim i botuar kohët e fundit në “The Lancet”, tregonte se efikasiteti i vaksinës së AstraZeneca kundër infeksioneve simptomatike të variantit B.1.1.7, i identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar ra në 70.4 për qind, krahasuar me 81.5 për shtamet e vjetra të koronavirusit. Vaksina e Novavax pati një rënie të ngjashme të efikasiteti. Ndaj për momentin duhet që të jemi vigjilentë, derisa të mësojmë më shumë.

BE dhe SHBA po punojnë për të zhvilluar certifikatat dixhitale të udhëtimit, që do t’u tregonin zyrtarëve të emigracionit prova të statusit të vaksinimit apo rezultateve të testit. Çfarë duhet të përfshihet në “pasaporta” të tilla shëndetësore, për t’i bërë ato efektive në kontrollimin e përhapjes së Covid-19?

Kjo është një temë shumë delikate, edhe pse unë e pres që certifikata të tilla do të prodhohen në një formë apo tjetrën. Çështja është se nëse dokumentacioni bazohet në statusin e vaksinimit, a e dimë ne se për sa kohë vaksinat janë efektive dhe mbrojtëse? A është një vaksinë më e mirë sesa një tjetër?

Po nëse dikush dëshiron të udhëtojë në një vend, që nuk ka arritur të vaksinojë shumë njerëz apo ka një rritje aktive të rasteve?

Bazimi i certifikatave tek imuniteti i përgjithshëm – qoftë nga një vaksinë, apo për shkak se dikush e ka kaluar tashmë sëmundjen – mund të jetë pak më i lehtë. Kjo do të jepte një informacion të saktë e sa i mbrojtur është dikush, pa u shqetësuar se cilën vaksinë ka marrë dhe prej sa kohësh. Por ne ende duhet të provojmë që nivelet e antitrupave në gjak, janë një shenjë e mirë e mbrojtjes, dhe të përcaktojmë se cili duhet të jetë standardi për imunitetin. Pastaj ekziston rreziku i falsifikimit të këtyre dokumenteve.

Si mund të ekuilibrohen shqetësimet mbi variantet, me lodhjen nga masat bllokuese? A ekziston rreziku që njerëzit apo edhe qeveritë të fillojnë të rebelohen? Greqia ka qenë veçanërisht e zëshme në lidhje me dëshirën për të rihapur turizmin…

Unë mendoj se njerëzit do të rreshtohen për të marrë vaksinat, dhe kur të vaksinohen familja dhe miqtë e tyre edhe shqetësimet do të zbehen. Dhe nëse statusi i vaksinimit është një biletë jo vetëm për të udhëtuar, por edhe për të marrë pjesë në ngjarje lokale kulturore dhe sportive, atëherë gjithnjë e më shumë njerëz do të motivohen të vaksinohen.

Ne duhet të sigurohemi që të përhapim mesazhe të qarta mbi rrezikun por edhe përfitimet nga vaksinat. Duhet të jemi të kujdesshëm të mos i mbivlerësojmë përfitimet nga vaksinat. Askush nuk duhet të tronditet nëse dëgjon për njerëz që janë vaksinuar dhe që sërish rezultojnë pozitivë me Covid-19.

Kryesorja është të arrijmë synimin përfundimtar:një zvogëlim të madh të së sëmurëve rëndë, shtrimeve në spital dhe vdekjeve, dhe provat se i kemi nën kontroll variantet. Por nuk besoj se do ta arrijmë këtë në muajt e ardhshëm.

Kur mendoni se një banor nga Britania mund të shpresojë ta vizitojë Evropën pa iu nënshtruar karantinës? Po një udhëtar që vjen nga SHBA-ja?

Unë mendoj se vera e këtij viti është një periudhë shumë e hershme për të pritur udhëtime të pakufizuara, duke pasur parasysh të gjitha pasiguritë që rendita më lart. Mund të ketë përjashtime për ata që janë vaksinuar, dhe që kanë një arsye të fortë për të udhëtuar, si dasma, funerale apo vizita tek një familjar i afërt. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!