Pandemia ka prekur sigurisht dhe sektorin e librit dhe duke marrë shkas nga situata e krijuar, nuk dihet nëse Panairi do të mbahet këtë vit. Për të folur për këtë ishte i ftuar në “Abc-ja e mëngjesit” kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri ku sqaroi se janë marrë një sërë masash në përputhje me rekomandimet e specialistëve për të shmangur përhapjen e virusit.
“Ne presim që Nëntori të jetë i librit të vërtetë, ecejakeve në Pallatin e Kongreseve ku të gjithë të vijnë për të zgjedhur libra. Këtë vit për shumë arsye lexuesit pyesin se kur do të bëhet dhe se si do të mbahet. Kemi organizuar një sërë masash për të përballuar këtë situatë që shkojnë krahas gjithë asaj që këshillohet nga specialistët, kemi zvogëluar sipërfaqet e tendave, kemi zgjeruar sipërfaqet e përbashkëta, shumë aktivitete në salla të mbyllura nuk do të bëhen.” , u shpreh Ymeri.
Ai u shpreh se panairi duhet të mbahet edhe për të ndihmuar sadopak këtë sektor, për shkak se nuk ishte vetëm pandemia që e goditi, por gjithashtu pati ndikim dhe situata që u shkaktua nga tërmeti. “Tirana ka nevojë për pak gëzim sidomos në këtë situatë dhe panairi e jep këtë, të gjithë lexuesit po e presin këtë.”, tha ai.
Më tej, ai sqaroi dhe pse kanë vendosur ta organizojnë Panairin në ambient të mbyllur. “Së pari nëse do të bëhet jashtë, do të bëhet në çadra. Lartësia e çadrës është 3-4 m dhe lartësia e pallatit është 50 m, kështu rreziku është i madh se në Pallatin e Kongreseve.” xh.d/abcnews.al