Tema e postit të presidentit të vendit është pjesë e zhvillimeve politike së fundmi në Kosovë.
Ishte kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shfaqi ambiciet për pozitën e kryetarit të shtetit pak ditë më parë.
Sot edhe zyrtarë të partisë Nisma Socialdemokrate kanë thënë se kandidat ideal për president do të ishte kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj.
Ndërkohë, Vetëvendosje nuk ka dhënë detaje nëse është ky post në ambicien e kësaj partie.
Zëdhënësi i VV’së, Përparim Kryeziu, ka thënë se brenda organeve të partisë dominojnë temat lidhur me përhapjen e COVID-19 dhe asnjë temë tjetër.
“Në këtë kohë, siç edhe nuk ka se si të jetë ndryshe, diskutimet brenda LVV dominohen nga temat mbi situatën e rëndë me pandeminë COVID-19, krizën humanitare si pasojë, keqqeverisjen si shkaktare, dhe nevojën e zgjedhjeve të parakohshme si domosdoshmëri. Asnjë temë tjetër nuk zë vend në diskutimet tona”, ka thënë Kryeziu për KlanKosova.
Kujtojmë se Kryeministri Avdullah Hoti ka mbledhur sot në takim krerët e koalicionit qeverisës, ku mes të tjerash, mund të diskutohet edhe për çështjen e presidentit.