A do të ketë sukses Biden në luftën kundër kleptokratëve?

schedule11:59 - 18 Dhjetor, 2021

schedule 11:59 - 18 Dhjetor, 2021

Nga Amy Mackinnon “Foreign Policy

Në mesin e përpjekjeve për të shmangur luftën në Evropë, dhe për të rigjallëruar demokracinë në nivel global në një samit të shumëpritur, java e kaluar mund të ketë qenë një nga më të rëndësishmet në axhendën e politikës së jashtme të administratës Joe Biden deri më tani.

Por kjo jo për arsyet kryesore, pasi krahas video-telefonatës së Joe Biden me homologun e tij rus Vladimir Putin dhe Samitit për Demokracinë, administrata e tij prezantoi  strategjinë e parë zyrtare të SHBA-së për të luftuar korrupsionin, së bashku me një mori veprimesh të tjera që synojnë të pengojnë kleptokratët që të përdorin sistemin financiar amerikan dhe ndërkombëtar për pastrimin e parave dhe shmangien e taksave.

Edhe Departamenti amerikani Thesarit po harton rregulla të reja, për të vendosur një kontroll më të madh mbi pronësinë e pasurive të paluajtshme tregtare dhe rezidenciale, si dhe për të demaskuar pronarët e kompanive guackë anonime, teksa ka vendosur sanksione ndaj 15 të korruptuarve nga disa vende.

“Disa prej tyre kanë qenë përtej pritshmërive tona më të mëdha ndaj ambicieve të kësaj administrate”-thotë Lakshmi Kumar, drejtor i politikave në “Global Financial Integrity”, një institut kërkimor që fokusohet tek financat e paligjshme.

Legjislacioni i dobët dhe boshllëqet e tij e kanë shndërruar prej kohësh SHBA-në në një nga destinacionet e preferuara për njerëzit që synojnë t’i shmangen drejtësisëdhe të shijojnë përfitimet e paligjshme në vendet nga vijnë.

Deri kohët e fundit, shumica e shteteve kërkonin më shumë të dhëna personale për t’u regjistruar në një bibliotekë sesa për të hapur një kompani të re, një anomali e dukshme që është shfrytëzuar masivisht nga “lordët” e drogës, trafikantët e qenieve njerëzore, terroristët dhe zyrtarët e disa prej regjimeve më autoritare të botës.

“Për momentin ka shumë arsye pse besohet se SHBA është vendi më i mirë për t’u fshehur dhe për të pastruar paratë e fituara në mënyrë të paligjshme. Dhe kjo për shkak të mënyrës se si ne i lejojmë njerëzit të krijojnë kompani guackë”- deklaroi Sekretarja e Thesarit Janet Yellen javën e kaluar gjatë Samitit për Demokracinë.

Ligjet e reja që pritet të hyjnë në fuqi, do t’i jepnin fund këtij problemi. Strategjia e shpalosur më 6 dhjetor,përshkruan në detaje dhjetëra masa që adresojnë problemin e boshllëqeve të shumta në sistemin aktual financiar amerikan.

Po ashtu ato shfrytëzojnë diplomacinë, ndihmën e huaj dhe shërbimet sekrete amerikane për të goditur korrupsionin jashtë shtetit; teksa mbrojnë gazetarët dhe anëtarët e shoqërisë civile që ndihmojnë në ekspozimin e këtij fenomeni.

Agjencitë do t’i raportojnë presidentit çdo vit mbi përparimin e tyre drejt arritjes së këtyre qëllimeve, një masë kjo për të cilën ekspertët thonë se është shumë e rëndësishme për llogaridhënien. Kjo strategji përbën momentin më kulmor pas memorandumit të sigurisë kombëtare të bërë publike nga Shtëpia e Bardhë në qershor të këtij viti, që e shpalli korrupsionin si një kërcënim të sigurisë kombëtare, dhe u dha agjencive qeveritare 200 ditë kohë për të gjetur mekanizmat se si të luftohet më mirë kjo dukuri.

Deri më tani, për këtë qëllim administrata ka përdorur organet e saj qeveritare. Por strategjia përshkruan gjithashtu edhe punën që duhen kryer bashkë me Kongresin, ku masat kundër korrupsionit gëzojnë një mbështetje të gjerë.

Administrata ofroi gjithashtu miratimin e heshtur të Enablers Act, që do t’i kërkojë trusteve, avokatëve, lotuesve, tregtarëve të veprave të artit, kompanive e marrëdhënieve me publikun dhe profesionistëve të tjerë që të shqyrtojnë nga afër klientët e pasur që kërkojnë të zhvendosin paratë e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti aktual,ishte në kohën kur mbante postin e zëvendëspresidentit në administratën Obama, i dërguari kryesor për Ukrainën dhe për vendet e trekëndëshit verior në Amerikën Qendrore, dy rajone ku korrupsioni e ka zbehur shumë perspektivën e zhvillimit ekonomik duke nxitur destabilitetin politik.

Gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, Biden dhe aleatët e tij u zotuan që ta shndërrojnë luftën kundër korrupsionit në një gur themeli të politikës së jashtme të administratës. Rrjeti për Ndjekjen e Krimeve Financiare të Thesarit (FinCEN), ka kërkuar të dhëna publike mbi rregullat e reja për t’i mbajtur paratë e pastruara larg tregut të pasurive të paluajtshme në SHBA, që është një nga sektorët e paktë të përjashtuar nga ligji kundër pastrimit të parave, që u miratua pas sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001.

Një raport i fundit nga “Global Financial Integrity”, zbuloi se të paktën 2.3 miliardë dollarë janë pastruar në Shtetet e Bashkuara përmes pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe komerciale vetëm gjatë 5 viteve të fundit. Por vendosja e kushteve të reja për pasuritë e paluajtshme mund të jetë një betejë e vështirë.

Pasi industria në fjalë ka lobuar prej kohësh kundër rregulloreve shtesë. “Ata po tentojnë të bëjnë diçka që asnjë administratë nuk e ka pasur sinqerisht guximin për ta bërë më parë”- thotë Josh Rudolph, bashkëpunëtor i think-tankut “German Marshall Fund”, që studion flukset e dyshimta financiare.

Paul Massaro, anëtar i Komitetit dypartiak të Helsinkit në Kongresin Amerikan, e përshkroi atë si “Telegramin e gjatë të shekullit XXI-të”, duke iu referuar kabllogramit të diplomatit George Kennan të vitit 1946, që u bë baza kryesore për strategjinë e frenimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Por disa analistë pyesin se si administrata mund të krahasojë përpjekjet e saj për promovimin e demokracisë dhe kundër korrupsionit, me përpjekjet për të bërë bashkë vendet për të kontrolluar ndikimin ushtarak dhe ekonomik në rritje të Kinës.

Është një sfidë që ka dalë në pah në vendin e vogël afrikano-perëndimor të Guinesë Ekuatoriale, ku thuhet se Kina po planifikon të krijojë një bazë detare, e cila do të ishte e

para e saj në brigjet e Atlantikut të Afrikës. Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jon Finer shkoi atje në tetor për të bindur presidentin vendas Teodoro Obiang Nguema Mbasogo të mos e pranojë ofertën e Pekinit.

Obiang është presidenti më jetëgjatë në botë, pasi ka qenë në detyrë për më shumë se 4 dekada. Nën sundimin e tij, elita politike ka qenë e implikuar në një korrupsion të shfrenuar, duke vjedhur pasuritë e vendit, dhe goditur kundërshtarët politikë.

Djali i Obiang, që mendohet gjerësisht si pasardhësi i tij, është vënë në shënjestër të sanksioneve dhe konfiskimeve të aseteve nga Britania e Madh, Brazili dhe Zvicra. Në vitin 2017 ai u dënua për korrupsion nga një gjykatë franceze. Por asnjë zyrtar i Guinesë Ekuatoriale nuk i është nënshtruar sanksioneve të SHBA-së për abuzime me të drejtat e njeriut apo korrupsion. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!