Nga Mark Temnycky, Center for European Policy Analysis
Sa larg është i gatshëm të shkojë presidenti Vladimir Putin, për ta mbajtur Bjellorusinë brenda orbitës ruse? Si e përkufizon Kremlini suksesin në Bjellorusi, dhe cilat janë ngjarjet që mund ta nxisin Moskën të përfshihet në punët e brendshme të Bjellorusisë, edhe më shumë sesa e ka bërë tashmë?
Duke pasur parasysh vetëm pasojat mbi sigurinë, këto janë llojet e pyetjeve që duhet t’i lënë pa gjumë strategët në Perëndim. I shqetësuar seriozisht nga fakti se sa shpejt u dëmtua ligjshmëria e presidentit e Aleksandër Llukashenko nga protestat e përhapura popullore në mbarë Bjellorusinë verës që shkoi, Kremlini është hedhur në veprim.
Kryeministri rus Mikail Mishustin e vizitoi në Minsk Llukashenkon në fillim të muajit shtator, në atë që ishte një shfaqje e dukshme e mbështetjes ruse për udhëheqësin bjellorus. Llukashenko dhe Putin, u takuan pak ditë më vonë në mesin e shtatorit.
Pas atij takimi, Rusia premtoi një kredi prej 1.5 miliard dollarësh për Bjellorusinë. Nga ana e tij, Bashkimi Evropian ka vendosur kohët e fundit sanksione ekonomike ndaj zyrtarëve Bjellorusë, përfshirë vetë Llukashenkon. Ndërsa ishte një lëvizje e mirëpritur, në terma afatshkurtër, kjo i ka detyruar të shënjestruarit e sanksioneve të mbështeten edhe më shumë tek Moska.
Ndërkohë, në një përpjekje për të ndihmuar në përhapjen e mesazheve propagandistike sipas modelit të Kremlinit, gazetarët në televizionin shtetëror bjellorus, janë zëvendësuar tashmë nga reporterët rusë të “Russia Today”.
Situata mbetet ende larg zgjidhjes, dhe është e lehtë të imagjinohet se si Rusia mund të ndërhyjë akoma më shumë në krizën bjelloruse. Për shembull, nëse protestat në Bjellorusi do të bëhen shumë të dhunshme, Putini është zotuar që të dërgojë atje një
forcë “paqeruajtëse”, për të ndihmuar në shuarjen e trazirave.
Ndërsa ngjarjet evoluojnë, Putini mund ta humbasë durimin me Llukashenkon dhe të kërkojë zëvendësimin e tij. Me aftësinë për të luajtur me dy porta, me Rusinë dhe Perëndimin në të njëjtën kohë, Llukashenko do të duhej të vazhdonte lojën, dhe të emëronte një pasardhës të aprovuar nga Kremlini.
Por një veprim i tillë nuk ka të ngjarë të sjellë stabilitet, dhe mund të kërkojë një përfshirje dhe me të madhe të Moskës. Me kalimin e kohës, kjo mund të sjellë një lloj aneksimi të butë, ku të dyja vendet bashkohen në një “union”, diçka që shumë analistë dyshojnë se mbetet gjithsesi synimi përfundimtar i Rusisë.
Gjithsesi, një pushtim në shkallë të plotë i Bjellorusisë, mbetet tani për tani një ngjarje me probabilitet të ulët për të ndodhur. Së pari, ai do të ishte tepër i kushtueshëm për Kremlinin. As Krimeja dhe as Donbasi, nuk u kanë dhënë rusëve ndonjë gjë më tepër sesa dhimbje koke.
Qindra miliona rubla janë shpërdoruar në Donbas, dhe mijëra ushtarë dhe civilë kanë humbur në konflikt. Edhe integrimi i Krimesë nuk ka shkuar sipas planit, duke dëshmuar të jetë shumë më i kushtueshëm për arkat e shtetit, nga sa parashikohej në fillim.
Ndërkohë, edhe ndërhyrjet e Rusisë në Siri dhe Libi kanë qenë gjithashtu zhgënjime që kanë kushtuar shtrenjtë. Për më tepër, sjellja e Rusisë në Ukrainë, ka çuar në vendosjen e sanksioneve nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.
Këto sanksione e kanë dëmtuar rëndë ekonominë ruse. Dhe me ndikimet negative të pandemisë së koronavirusit, Kremlini nuk ka luksin të përballojë një tjetër hakmarrje të kushtueshme nga Perëndimi. E megjithatë, do të ishte e papërgjegjshme të thuhej që nuk mund të ndodhë dhe ky skenar.
Tek e fundit, pak analistë e parashikuan ndërhyrjen ruse në Gjeorgji në vitin 2008 apo Ukrainë në vitin 2014. Marrja seriozisht e një ngjarjeje të tillë, është e nevojshme duke pasur parasysh pasojat e saj mbi sigurinë në rajon.
Një pushtimi rus i Bjellorusisë, mund të sjellë vendosjen e trupave ruse pranë kufirit Bjellorusi-Ukrainë, duke krijuar një front të ri të mundshëm në luftën Rusi-Ukrainë që ende vlon. Dhe një inkursion ushtarak në Bjellorusi do t’i vinte trupat ruse përballë atyre të NATO-s, duke i përshkallëzuar rrezikshëm tensionet me aleancën veri-atlantike.
Të marra së bashku, këto zhvillime do të përbënin një nivel destabiliteti të paparë në Evropë që prej mesit të shekullit XX. Presidenti francez Emanuel Makron, tha se evropianët nuk duan që në Bjellorusi të përsëritet skenari gjeorgjian apo ukrainas. Ajo çka shqetëson çdo vëzhgues të kujdesshëm të zhvillimeve në rajon, është se nga udhëheqësit perëndimorë ka pasur shumë pak planifikim mbi emergjenca të tilla. Të mos duash që të ndodhë diçka, nuk është një strategji. /Përktheu: Alket Goçe-abcnews.al/