A do ta ndihmojë Shqipëria Kosovën me forca policore? Rama: Integriteti i saj mbrohet nga bashkësia ndërkombëtare

schedule18:23 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 18:23 - 13 Dhjetor, 2022

Kryeministri i vendit, Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit e qarqeve ka dhënë një deklaratë për mediet.

I pyetur nëse Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën me forca policore për shkak të situatës në veri, Rama tha: Për çfarë arsye duhet ta ndihmojë Shqipëria me forca policore dhe për çfarë arsye Kosova që është një shtet sovran duhet të ketë forca policore në territorin e saj, që është territor integritetin e të cilit e mbron një bashkësi e tërë ndërkombëtare.

Për të katërtën ditë me radhë, në veri të Kosovës, disa rrugë vazhdojnë që të jenë të bllokuara. Kamionë të rëndë dhe mjete të tjera vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudarë, në Zveçan. Që nga 10 dhjetori, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës. Po ashtu shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Barrikadat në veri të Kosovës, vijojnë të jenë të pranishme, ndërsa Serbia po këmbëngul në lirimin e ish-efektivit serb në policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. Kryeministrja Ana Bërnabiç i bëri thirrje bashkimit Evropian që të ndihmojë për lirimin e Pantiç nga paraburgimi.

Si u përshkallëzua konflikti në veri të Kosovës

Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhejtor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!