A do rriten pagat në sektorin privat? Rama i përgjigjet ABC News: Do bëjmë maksimumin

schedule11:00 - 4 Prill, 2023

schedule 11:00 - 4 Prill, 2023

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, u shpreh se rritja e pagave krahas sektorit publik duhet inkurajuar edhe në atë privat. Ai iu përgjigj pyetjes së Abc News, se çfarë po planifikohet me rritjen e pagave në sektorin privat, dhe për këtë kryeministri tha se duhet bërë më shumë, ndërsa shtoi se kompanitë dhe sipërmarrjet e sektorit privat duhet të heqin dorë nga keqtrajtimi i punonjësve.

Shefi i qeverisë, u ndal tek kompanitë e ndërtimit, të cilat i paralajmëroi që mos të deklarojnë punëtorët me pagë minimale, pasi sipas tij në këtë drejtim do të merren masa të ashpra.

“Paga minimale sot është 40 mijë lekë, në fund të mandatit do ta kemi 45 mijë lekë. Në fillim të vitit 2025. Kemi nisur një proces, që ju i keni parë kontaktet me kompanitë dhe sektorët për të bërë atë që mundemi lidhur me luftën e domosdoshme që do t’i bëjë kjo shoqëri idesë së shfrytëzimit të krahut të punës. Ka qenë në fazë që është tejkaluar sot ku Shqipëria e ofron krahun e lirë të punës si avantazh. Ky është shfrytëzim, abuzim dhe shkelje e të drejtave të punonjësve, të cilët do të marrin atë që u takon.  Ne nuk mund të pranojmë dhe po përgatisim dhe parashikimet ligjore, që kompani ndërtimi, që paguajnë punëtorët në majë të skelave me pagë minimale. Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse shfrytëzim. Kjo shkon në dëm të të ardhmes. Një pjesë e sipërmarrjes e ka kuptuar se nuk mund ta ketë pagën e ulët si instrument përfitimi dhe kanë arritur pagat. Masat që ne do marrin është se nuk do marrin asnjë tender, të cilat i kanë punëtorët e ndërtimit me paga minimale”, tha Rama.

Ai shtoi se nuk është aq e lehtë  rritja e pagave në sektorin privat, por shton se kjo është masë e domosdoshme.

“Nuk është e lehtë, sepse është tjetër sistem, por do bëjmë maksimumin edhe në sektorin privat, është një kohë e mirë për Shqipërinë, por duhet shumë punë”, theksoi ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!