Ndalur tek roli i presidentit Ilir Meta në përcaktimin e forcës politike që do qeverisë vendin pas 25 Prillit në rast se PD dhe LSI marrin më shumë vota së bashku, Balla tha në “Log.” në ABC se kjo do të jetë në vullnetin e qytetarëve përmes votës.
“Ilir Meta një ditë mund të vendosë të nxjerrë Shqipërinë nga NATO. Shqipëria do vazhdojë të jetë në NATO dhe janë qytetarët shqiptarë ata që do të vendosin. Unë nuk i hy këtij diskutimi. Ilir Meta ka treguar se mund të bëjë veprime që bien ndesh me Kushtetutën.
Por qytetarët shqiptarë nuk do e lejojnë. Jam i bindur që rezultati i zgjedhjeve do e nxjerrë PS partitë që do qeverisë vendin. Qytetarët shqiptarë nuk do i lënë Metën dhe Berishën të abuzojnë me një të drejtë ceremonial të presidentit. Të drejtën për të formuar qeverinë ta jep populli. Presidenti është I detyruar ta njohë”, tha Balla.
Numri dy i Partisë Socialiste shpjegoi arsyen pse PS e ka fokusuar spotin e saj të fushatës pikërisht në dy ngjarje të rënda për vendin tonë në dy vitet e fundit, tërmetin dhe pandeminë.
Ai u shpreh se këto kanë qenë dy problematika kryesore dhe mënyra si janë tejkaluar deri tani është shumë e mirë.
“Unë mendoj që shqiptarët sot kanë dy problematika të mëdha dhe një set problematikash më të vogla dhe dalja sa më shpejt nga kjo situatë. Unë mendoj se mënyra si është tejkaluar tani situate është shumë e mirë. Tërmeti pati dëmet e veta. Të gjitha shtëpitë e tërmetit të shtatorit janë rindërtuar. Për pjesën tjetër rindërtimi po ecën në mënyrë të shkëlqyer.
Të gjitha sheshet e ndërtimit të zonave të tjera tashmë janë duke u ngritur dhe jemi në kushtet për t’i qëndruar zotimit tonë që të gjitha familjet janë në proces rikthimi në banesën e tyre. Ju e dini që një familje që jeton në fshat dhe ka pronën e vet ka vendosur të qëndrojë atje. Garancia jonë është se kjo verë do i gjejë në shtëpitë e reja. Ky ka qenë një proces shumë i rëndësishëm. Falë zotit fondet i siguruam para pandemisë”, tha Balla./mv.abcnews.al

